Spirancë 1500 vjeçare në Mat, zbulimi tregon se lundrohej deri në thellësi të territorit

Një spirancë rreth 1500 vjeçare është zbuluar rastësisht në Skuraj të Kurbinit. Ekspertët e cilësojnë të veçantë dhe një provë që Lumi Mat dikur ishte i lundrueshëm deri në brendësi të vendit.

Kjo spirancë u zbulua në thellësinë 4 metra në shtratin e Lumit Mat në Skuraj të Kurbinit rastësisht nga një banor i zonës.

1.2 metra e lartë dhe e lidhur me një zinxhir mbi 6 metra të gjatë të ngjitur me nxehje, konsiderohet e veccantë.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Paraprakisht datohet se i përket shekujve 5-6 të erës sonë, ndërsa për specialistët jep të dhëna se në këtë periudhë Lumi Mat ishte i lundrueshëm deri në brendësi të vendit.

"Kjo është një spirancë e përdorur nga një anije me tonazh jo shumë të rëndë," tha Ded Margjoni, specialist i Trashëgimisë Kulturore Lezhë.

Spiranca antike aktualisht ruhet nga personi që e zbuloi në pritje të verifikimeve nga ekspertët e Ministrisë së Kulturës.

Objekte të tilla janë gjetur edhe më herët në shtratin e Lumit Mat.