"Aminstia fiskale fal korrupsionin dhe krimin, Shqipëria nuk e meriton" Jorida Tabaku kundër qeverisë
Nisma që fal krimin e organizuar dhe korrupsionin e cilësoi deputetja demokrate Jorida Tabaku planin e qeverisë për amnisti fiskale. Nga Korça, ajo ishte kritike edhe për paketën Fiskale.
Kryetarja e Komisionit për Integrimin Europian, Jorida Tabaku, nga Korça, deklaroi se plani i qeverisë për amnisti fiskale favorizon korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Jorida Tabaku: “Kam 3 vite që flas kundër amnistisë fiskale dhe është një nga temat që do ngre sot me studentet. Mendoj që Shqipëria e 2022 nuk meriton që të diskutoj një ligj për të falur korrupsionin dhe krimin e organizuar është e pabarabartë përpara ligjit, është jo e drejtë, është arrogante”
Deputetja demokrate, kritike është edhe me paketën fiskale.
Jorida Tabaku:“Qeveria shqiptare të ofroj atë që ndoshta s'e ofroi plotësisht gjatë pandemisë, atë që nuk e ofroj në mesin e një krize të vështirë ekonomike që patëm vitin e kaluar dhe është e vërtetë që kemi një prekje të ekonomisë nga kriza botërore por pjesa më e madhe e prekjes lidhet si rezultat edhe i krizës shqiptare,i krizës së ekonomisë shqiptare, i krizës së rritjes së taksave, i krizës së mungesës së alternativave, i krizës së shpërdorimit të buxhetit të shtetit”
Ndërsa kryedemokrati Sali Berisha ka paralajmëruar protesta kombëtare, Tabaku thotë se rruga nuk është vendi i vetëm ku mund të kundërshtohet qeveria.
Jorida Tabaku:“Ka mënyra të ndryshme sesi bëhet opozita, me fjalë, me argumenta, me fakte, me protestë. Unë besoj se e kam treguar qe di ta bej”
Ndërsa e pyetur për negociatat mes Gazmend Bardhit dhe Edi Palokës për të shkuar me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet vendore të 14 majit të vitit të ardhshëm, Jorida Tabaku shmangu komentet.
