Reforma territoriale/ PD e Berishës propozon 97 bashki, zgjedhjet vendore të mbahen mbi këtë ndarje

97 bashki ka propozuar Partia Demokratike në projektligjin për ndarjen e re territoriale të vendit. Deputetët mbështetës të Berishës shprehen se mund të ketë një bashkëpunim me grupimin e Alibeaj që kërkon 94 bashki. 3 më pak a 3 më shumë, e mban të ndarë partinë në këtë nismë.

Edhe ndarja territoriale e vendit i ndan demokratët për numrine  bashkive  që kanë propozuar.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, depozitoi të martën (25 tetor) në Kuvend projektligjin për këtë reformë.

Kërkesa e deputetëve mbështetës të Berishës është 97 bashki.

“Propozimi ynë për 97 bashki do ndjekë rrugën legjislative, kërkon të paktën 84 vota. Gjykoj se kushdo që nuk e mbështet këtë ndarje në parlament do të thotë se nuk ka në themel të tij interesat e qytetarëve. 61 bashki janë të pamjaftueshme”.

Tre bashki më shumë nga sa kërkon grupimi i Alibeajt dhe pavarësisht kësaj Bylykbashi shprehet se për shkak të ndryshimeve të vogla mes propozimeve ekziston mundësia që të ketë një dakordësi.

Por nëse PD e Alibeajt bashkon sërish votat me mazhorancën për 61 bashkitë, siç vepruan në rastin e ligjit të dosjeve, nuk do ta kenë mbështetjen e kundërshtarëve brenda llojit.

"Të gjithë ne duhet të respektojmë interesin e komuniteteve. Asnjë gjë që lëviz dukshëm nga propozimi që bëjmë sot, 97 bashki, nuk mund të marrë mbështjen tonë."

Ndërkohë mazhoranca ka konfirmuar qëndrimin për të mos ndryshuar numrin e bashkive dhe se do të shkojnë në zgjedhje me reformën administrative të miratuar në vitin 2014.