PL: Nuk do hapen dosjet por shantazhohen kundërshtarët që denoncojnë grabitjet miliarda euro nga pushteti

Partia e Lirisë thotë se ligji i votuar në kuvend nga socialistët dhe deputetët demokratë të Bashës nuk ka të bëjë me hapjen e dosjeve por me “ngjalljen e Autoritetit të vetëvrarë të Manipulimit të Dosjeve! ” pasi dështuan në atë që e quan "manipulimin mafioz kundër Ilir Metës"

Rilindasit në pushtet dhe rilindasit me mëditje në opozitë votuan vetëm pro Autoritetit të vdekur të Dosjeve, që më 26 korrik tregoi fytyrën si zorrë qorre e qeverisë kur manipuloi e shkeli çdo ligj, që konsumoi vepra penale pa fund, që prodhoi 7 vendime mafioze të manipuluara në një ditë, kur prodhoi deri edhe gjeneralitete false, kur manipuloi të vërtetat që nuk i luan as topi dhe që ulërijnë me dokumente shkresore të shkruara me shkrim dore," tha Petrit Vasili sot në një deklaratë për median nga kryesia e Kuvendit.

Vasili denoncon se kjo përdoret për të shantazhuar çdo kundërshtar që tregon vjedhjet dhe grabitjet e miliarda eurove nga pushteti

"Autoriteti i Manipulimit të Dosjeve sot qelbet erë në mënyrë më të neveritshme se Sigurimi Shtetit dje dhe kërkohet të përdoret nga “Rilindja” si instrument për të vrarë pluralizmin, për të shantazhuar çdo kundërshtar që tregon vjedhjet dhe grabitjet e miliarda eurove nga pushteti. Ky është një objektiv i vdekur për Rilindjen ashtu si vetë Autoriteti i vetëvrarë i Manipulimit të Dosjeve" vijoi më tej Vasili.

Më 20 tetor 2022 parlamenti votoi në mesnatë disa ndyshime në ligjin për “Të drejtën e informimit për dokumentat e ish Sigurimit të shtetit”, të cilat parashikojnë ndër të tjera hapjen e dosjeve, deklasifikimin e të gjithë dokumentave nga 29 Nëntori 1944 deri në 2 korrik 1991 të cilat disponohen nga të gjitha arkivat e rrjetit arkivor të Republikës së Shqipërisë, si dhe heqin pengesat për riverifikimin e figurës së personave që kanë një çertifikatë të mëparshme pastërtie, kur për ta, shfaqen informacione të reja.