Shpërndante doza kokaine në Pogradec, kapet "motoristi"
Një 34 vjeçar është arretsuar nga policia në Pogradec ditën e sotme, pasi shpërndante me motor doza kokaine në lagje të ndryshme të qytetit.
Pas hetimeve disamujore, u finalizua me sukses operacioni i koduar "Motoristi", ku u arrestua Arjon Olldashi, 34 vjeç, banues në Pogradec, me precedent të mëparshëm në fushën e narkotikëve.
"Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, se shtetasi A. O. ushtronte aktivitetin kriminal të shpërndarjes së drogave të forta, shërbimet e Policisë organizuan veprimet dhe bënë lokalizimin e tij, në lagjen nr. 1 Pogradec, gjatë kohës që po lëvizte me një motor tip "Suzuki".
Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjetën dhe iu sekuestruan 4 doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë dhe një shumë lekësh, që dyshohet se e ka përfituar nga shitja e lëndës narkotike," njoftoi policia.
Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit A. O., u gjetën dhe sekuestruan: 1 armë zjarri pistoletë me silenciator, 1 krehër me 9 fishekë, 2 thika, rreth 40 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 1 peshore elektronike, 19 aparate celulare dhe 2300 euro.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit" dhe "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta".