522 mijë euro të padeklaruara, Gjykata e Durrësit cakton masën "arrest me burg" për Elidon Çelën dhe shoferin
Elidon Çela, pronari i kompanisë, në autobusin e të cilës u kapën 522 mijë euro të padeklaruara më 21 tetor 2022 u la në "arrest me burg" nga Gjykata e Durrësit.
Në "arrest me burg" u la gjithashtu edhe shoferi i autobusit, ndërsa për dy ndihmësit e tjerë, Gjykata vendosi "Detyrim paraqitje".
Ditën e djeshme Çela dëshmoi në polici se paratë ishin të pastra dhe vinin nga biznesi i familjes së tij. Ai tha se paratë i solli në Shqipëri për ti investuar në bujqësi.
“Kemi biznes, paratë janë kursime të familjes, do investoja në toka me qira dhe bujqësi. Askush nuk e dinte për paratë në autobus, kisha frikën e ndonjë grabitjeje,” tha ai.
Ndërsa për mallrat e tjera të cilësuara kontrabandë që iu gjetën në Autobus, Elidon Çela ka pretenduar se ato janë dërgesa të emigrantëve për familjet në Shqipëri, për të cilat ka bërë deklarim në Portin e Barit.
“Mallrat janë të emigrantëve që jetojnë në Itali, i deklarova në doganën e Barit,” tha ai.

