Një qendër ditore për fëmijët tanë, apeli i familjeve me fëmijë autikë për Edi Ramën
Një apel për vëmendje ndaj fëmijëve autik nga studio e “Jeto me Orën” ka shkuar për kryeministrin Edi Rama.
Një qendër ditore për fëmijët me spektër autik është ajo që prindi i Jonës, vajzës me spektër autik e sheh si të nevojshme.
Ai tregon vështirësitë me të cilat përballen familjet që kanë fëmijë të tillë dhe kërkon që gjërat të ndryshojnë dhe për këtë nevojitet krijimi i shërbimeve nga shteti.
Çlirim Zajmi: Mbështetja e shtetit është zero. Këtë e them troç. Jona merr 100 euro në muaj po kështu dhe nëna. Nënës nuk i njihen vite pune. Institucion nuk ka, as shoqata me pagesë, institucione të specializuara. Çdo gjë është në dorë të prindërve. Për familjen tonë e kemi përballuar. Problemi është për të gjithë. Prindi ka përgjegjësi për gjithë familjen. Duhet të ketë një qendër, që të shkojnë dhe ne të shkojmë në punë. Prindërit të bëjnë rutinën ditore.
“Thelbi i gjithë mesazhit që dua të jap është që duhet të na dëgjojë shteti, duhet të ketë një qendër që ne ti dërgojmë fëmijët në mëngjes, deri në 4 a 5 dhe të punojmë dhe ne të jetojmë me dinjitet. Kur them për ne nuk e kam për vete, e kam për të gjithë. Çdo çift normal kur martohen kanë fëmijë, shkojnë në punë dhe vijojnë përditshmërinë. Kjo gjë duhet të bëhet dhe për fëmijët me autizëm. Edi Rama është i pari i shtetit si nëna e familjes kur je nëna kujdesi duhet të jetë për të gjithë njësoj. Gjithë fëmijët me autizëm kanë probleme. Kur ka për ta çfarë të presim ne”, tha ai.
