Bushka: Pikënisja për ligjin e hapjes së dosjeve, shkresa e Autoritetit për Metën gjatë verës
Më 20 tetor 2022 parlamenti votoi në mesnatë disa ndyshime në ligjin për “Të drejtën e informimit për dokumentat e ish Sigurimit të shtetit”, të cilat parashikojnë ndër të tjera hapjen e dosjeve, deklasifikimin e të gjithë dokumentave nga 29 Nëntori 1944 deri në 2 korrik 1991 të cilat disponohen nga të gjitha arkivat e rrjetit arkivor të Republikës së Shqipërisë, si dhe heqin pengesat për riverifikimin e figurës së personave që kanë një çertifikatë të mëparshme pastërtie, kur për ta, shfaqen informacione të reja.
Po përse duhej ndërhyrë në ligjin e miratuar në 2015 dhe përse rivjen sërish refreni i dosjeve, bashkëpunëtorët, sigurimi në mjedisin tonë public e politik?
Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, deputetja socialiste Klotilda Bushka e ftuar në emisionin “Drejt” nga Luan Rama në RTV Ora bëri një përmbledhje se çfarë ka ndodhur me ligjin për hapjen e dosjeve si dhe nevojën për ndryshimet ligjore të domosdoshme për Autoritetin e Dosjeve të për të bërë transparencë.
Gjithçka nisi pasi Autoriteti dërgoi një shkresë drejtuar kuvendin ku përmendeshin emra të rëndësishëm të politikës shqiptare.
Bushka: Ligji i vitit 2015 i hapi dosjet dhe informacioni mund të merrej nga një rreth i caktuar për ata persona që mund të kishin një të shkuar me ish-Sigurimin e Shtetit.
Ndërkohë ligji kishte dy problematike që u zbuluan këtë vit dhe për herë të parë u bënë sensitive se në shkresën që Autoriteti i bëri kuvendit përmendeshin disa emra të personazheve të shquar të shoqërisë shqiptare të cilët kanë pasur një çertifikatë pastërtie të komisioneve të mëparshme.
Nga verifikimi që është bërë në vite, kanë rezultuar dhe rrethanat e reja që kanë përmbysur ato çertifikata. Autoriteti është gjendur në kushtet e mosveprimit mbi persona që kishin çertifikatë nga komisionet e mëparshme.
Nëse do e bënte do ishte në kushtet e pavlefshmërisë. Pra Autoriti nuk kishte tagër.
Nuk është hera e parë që Autoriteti e ka ngritur si shqetësim. Ka qenë problematikë e hasur në zbatimin e punës nga Autoriteti por ne nuk e kishim adresuar me ndryshime ligjore dhe nuk i kishim kushtuar ndoshta vëmendjen e duhur këtij shqetësimi.
Dhe pikënisja e nismave për të hequr këtë pengesë ligjore, ishte ajo që ndodhi në verë të këtij viti ku figura të rëndësishme të jetës publike, politike kishin një çertifikatë pastërtie dhe Autoriteti nuk mund të vepronte.
Zanafilla ndryshimeve ishte shkresa që Autoriteti i Dosjeve, i dërgoi parlamentit në fund të muajit korrik, ku bënte të ditur se emri i ish presidentit Ilir Meta “figuron në dokumentat e krijuara nga strukturat e ish Sigurimit të Shtetit”.