Bashkitë ndahen me 14 maj, Shano: Uroj të ketë garë, test për shumë lojëra politike që luhen sot
Presidenti, Bajram Begaj, ka dekretuar 14 majin e vitit të ardhshëm për garën e 61 bashkive.
Dritan Shano e sheh si një moment të rëndësishëm për një balancim të pushtetit lokal pas katër vitesh anormaliteti
I ftuar në Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma, Shano shpreson për një dorë magjike që kryetarët e partive të shkëpusin konceptin e sulltanit që cakton pashallarët e vet kudo dhe të kenë qytetarët në mendje.
Shano: Është moment i rëndësishëm, shpresoj që të ketë gara dhe jo si votimet që shkuan që prodhuan një uniformitet që edhe Enver Hoxha do ta kishte zili. Uroj të ketë garë dhe sidomos këshillat bashkiakë të jenë sa më përfaqësues.
Është test për shumë lodra politike që po zhvillohen sot, për të kuptuar sa peshon njëri dhe sa peshon tjetri. Është një bankoprovë për zgjedhjet e përgjithshme.
Koha është e përshtatshme për të bërë zgjedhje, çdo forcë politike ka detyrimin ti ofrojë qytetarëve alternativat më të mira të mundshme jo për kryetarët e partive por për qytetarët.
Uroj që ne të shkëputemi përfundimisht, një dorë magjike të udhëheqë mendjet e këtyre njerëzve që kanë kapur karrigen dhe nuk e lëshojnë dhe të shkëpusin konceptin e sulltanit që cakton pashallarët e vet kudo dhe të kenë qytetarët në mendje.
Është koha të ushtrohet një presion shumë i madh mbi këta njerëz që kanë kllaposur Shqipërinë nga çdo cep i saj dhe nuk e lënë të ikë.
Situatën e rëndë në vend ai e sheh pasojë të një opozite të skaduar.
Shano: Problemi i çdo vendi është gjithmonë opozita dhe jo qeveria. Në rastin tonë askush nuk ka shpresë dhe kjo është një nga arsyet e mëdha pse shqiptarët ikin me valanga të mëdha se këtu nuk ekziston shpresa. Data e skadimit ka kaluar me kohë.