522 mijë € të padeklaruara në autobus, Elidon Çela: Janë kursime të familjes, do t'i investoja në bujqësi

32 vjeçari Elidon Çela i arrestuar në Portin e Durrësit me mbi gjysmë milioni euro, ka deklaruar se paratë nuk vijnë nga veprimtari kriminale, por nga kursimet e familjes me biznese në Itali. Madje mësohet se ai është treguar i gatshëm ti vënë në dispozicion autoriteteve shqiptare edhe faturat që sipas tij tregojnë burimin e parave që tentoi ti fusë në Shqipëri në shkelje të ligjit.

Elidon Çela, pronari njëherësh shoferi i autobusit në të cilin u kapën 522 mijë euro në portin e Durrësit, me 21 tetor 2022 ka marrë përsipër i vetëm tentativën për të futur paratë e padeklaruara nga Italia.

32 vjeçari mësohet se ka deklaruar në polici se paratë nuk janë produkt i veprimtarive kriminale, por i punës së ndershme të familjes së tij në vendin fqinj.

Madje Elidon Çela mësohet se është treguar i gatshëm ti vendosë në dispozicion autoriteteve shqiptare edhe faturat që sipas tij tregojnë burimin e më shumë se gjysmë milioni euro.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Ndërsa përballë akuzës për mosdeklarimin e parave, i riu mësohet se ka deklaruar se kishte frikë se mos binte pre e grabitjes.

“Kemi biznes, paratë janë kursime të familjes, do investoja në toka me qira dhe bujqësi. Askush nuk e dinte për paratë në autobus, kisha frikën e ndonjë grabitjeje,” tha ai.

Ndërsa për mallrat e tjera të cilësuara kontrabandë që iu gjetën në Autobus, Elidon Çela ka pretenduar se ato janë dërgesa të emigrantëve për familjet në Shqipëri, për të cilat ka bërë deklarim në Portin e Barit.

“Mallrat janë të emigrantëve që jetojnë në Itali, i deklarova në doganën e Barit,” tha ai.

Shuma prej 522 mijë eurosh e pa deklaruar, u zbulua më 21 tetor të fshehura në autobusin e Linjes Padova-Lushnje.

Paratë ishin në prerje të ndryshme dhe të ndara në 6 qese.

Agjensitë ligjzbatuese thonë se kishin informacion prej një muaji për tentativën e futjes së një shumë të madhe parash ndaj ishin në pritje.

Bashkë me Elidon Çelën, pronar i agjensisë së transportit ndërkombëtar të pasagjerëve “Buon Aventura” në pranga u vunë edhe dy ndihmësit e tij Dritan Kamberi e Anold Cankja.