"Learin e vranë banditë me uniformë", Berisha: Kjo betejë do përfundojë me rrëzimin e kësaj qeverie

Ndarja nga jeta e 32-vjeçarit, Lear Kurti, solli reagimin e menjëhershëm të opinionit publik. Pas akuzave ku faji ju vesh uniformave blu. Për këtë arsye kreu i PD-së, Sali Berisha, u bëri thirrje qytetarëve të vijojnë protestat për të ndaluar përsëritjen e këtyre rasteve.

Lear Kurtin e vranë banditë të droguar me uniformë. Kjo ka qenë deklarata e kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha, sipas të cilit çdo ditë e më shumë faktet që po dalin në dritë vërtetojnë këtë vrasje shtetërore.

"Lear Kurtit i morën shpirtin xhelatë me uniformë dhe pasi i morën shpirtin e  dërguan në spital. Më pas i bënë autopsinë pa asnjë konsent, si bandë për të fshehur krimin e  tyre të shëmtuar."

Berisha u bëri thirrje qytetarëve të mbështesin protestën për të ndjerin 32-vjeçar, teksa paralelisht u bëri thirrje pedagogëve dhe studentëve të mbrojnë kauzën e tyre.

"Ftoj të rinjtë të ngrihen dhe të vazhdojnë protestat, ti japin përgjigjen e merituar regjimit monist të Edi Ramës në mënyrë që këto krime të mos përsëriten."

Pasditen e së hënës kreu i demokratëve zhvilloi edhe një mbledhje me të rinjtë në vazhdën e takimeve për mobilizimin e qëndresës ndaj qeverisë Rama.

"Jemi buzë gremine me këto qëndrime që mban kjo qeveri ndaj Uiversiteteve. Ju ftoj të bëni gjithçka për suksesin  e kësaj proteste. Kjo betejë do të nisë dhe do të përfundojë më rrëzimin e kësaj qeverie".