I dënuar me rreth 6 vjet burg në Itali për drogë e pjesë e një grupi kriminal, kapet në Tiranë 40 vjeçari
Një 40 vjeçar i shpallur në kërkim në Itali për trafik narkotikësh dhe organizatë kriminale është arrestuar nga policia e Tiranës.
Shtetasi i identifikuar si Armant Beqiri u arrestua me qëllim ekstradimin drej shtetit fqinj ku është dënuar me 6 vjet e 10 muaj burg.
Shërbimet e Seksionit të Kërkimit, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në bashkëpunim me Interpol Tirana, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Torino”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi provizor, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, i shtetasit: Armant Beqiri, 40 vjeç, banues në Tiranë.
"Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Torinos, Itali, e ka dënuar me 6 vjet e 10 muaj burgim, për veprat penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike", parashikuar nga Kodi Penal i Italisë," njoftoi policia.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Roma, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.
