Përjashtohet polici i Pogradecit që goditi qytetarin pasi ndaloi makinën

Një efektiv i policisë rrugore është filmuar duke dhunuar një qytetar në Pogradec, ndërsa pranë tij qëndron një tjetër polic i cili nuk ndërhyn në këtë ngjarje.
Në lidhje me pamjet e publikuara, efektivi i rrugores është shkarkuar nga detyra ndërsa Prokuroria ka nisur hetimet ndaj tij.

Përjashtohet dhe nis hetim për efektivin e policisë rrugore në Pogradec, i cili u shfaq në një video në rrjetet sociale duke  goditur pasagjerin e mjetit që e kishte ndaluar për kontroll.

Ngjarja u shënua rreth orës 15:00 të 21 tetorit 2022 në lagjen nr 3 të Pogradecit.  

Ndërkohë Drejtoria Rajonale e Autoritetit të Mbikqyrjes Policore në Korçë ka referuar në Prokurori materialet proceduriale për kryerjen e veprës penale “Kryerja e veprimeve arbitrare”, ndaj punonjësit të policisë të Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë Pogradec, Inspektor A. S.

"Veprimet hetimore ndaj këtij punonjësi policie u kryen pasi më datë 21.10.2022, në rrjete sociale është publikuar një material filmik ku ai shfaqet duke debatuar dhe goditur shtetasin A. T., i cili ishte pasagjer në një automjet që ishte ndaluar pasi drejtuesi i saj u konstatua duke përdorur telefonin dhe pa vendosur rrip sigurimi" thuhet në njoftimin e sotëm të AMP-së.

Në pamje mund të shihen dy punonjës policie, teksa debatojnë me një shofer, ndërsa njëri prej policëve, gjuan me dorë shoferin.

Incidenti u publikua fillimisht në rrjetet sociale, ndërsa disa orë më vonë, reagoi edhe policia e Shtetit.

Sipas Drejtorisë së Policisë, punonjësi i rrugores, Aleksandro Sulollari për shkak të shkeljeve që ka bërë është shkarkuar menjëherë, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Gjithashtu është vendosur transferimi në një strukturë tjetër policore, për punonjësin tjetër të Policisë shtetasin L. H., i cili nuk ka ndërhyrë për të parandaluar veprimin e paligjshëm të kolegut të tij.

Policia e Shtetit është vënë vazhdimisht nën kritika të forta të opinionit publik, për shkak të sjelljes së efektivëve, që shpeshherë thuhet se janë nën tejkalim të kompetencave të tyre.