Kapen 522 mijë euro në portin e Durrësit, ishin futur në 6 qese, policia: Po hetonim prej 1 muaji
Ndërsa qeveria vijon të sfidojë ndërkombëtarët për amnistinë fiskale, tentativat për të futur para në mënyrë të paligjshme në vend janë shtuar.
Rreth gjysmë milioni euro të ndara në 6 qese të tilla u sekuestruan këtë të premte, 21 tetor 2022 në Portin e Durrësit. Paratë ishin fshehur në një autobus që mbërriti me tragetin e linjës Durrës-Bari.
Agjencitë ligjzbatuese thonë se kishin informacion prej një muaji për tentativën e futjes së një shumë të madhe parash ndaj ishin në pritje.
Kur autobusi I dyshuar u paraqit në port, ata e kaluan direkt në skaner çka zbuloi gjithçka. 6 qeset e mbushura me euro ishin fshehur në pjesën e sipërme të një autobusit, pranë kondicionerit.
Nga të dhënat e para bëhet fjalë për rreth 522 000 euro me prerje të ndryshme, por numërimi për shumën e saktë ende vijon.
Policia e Durrësit pas veprimeve të para me agjentët e Doganës thotë se ka shoqëruar disa persona, ndërsa vijon hetimet për të identifikuar dhe ndaluar të tjerë të përfshirë në veprimtarinë e paligjshme!
Elidon Çela është pronar i agjencisë së transportit ndërkombëtar të pasagjerëve “Buon Aventura” me seli në Lushnje.
Burime thonë se edhe më herët në mjetet e kësaj kompanie janë zbuluar para të padeklaruara por në shuma më të vogla dhe mallra të tjera.
Javët e fundit në pikat kufitare janë goditur disa tentative të lëvizjes së shumave të mëdha të parave KESH të padeklaruara, sipas ligjit.



