Dështon komisioni i Reformës Territoriale, harta në “duart” e negociatorëve të PS-së dhe grupimit Alibeaj

Ndryshimi i hartës territoriale nga Komisioni i Posaçëm tashmë është një mision i pamundur, pasi afati i punës së tij ka përfunduar të premten. Pavarësisht mosdakordësisë, dy bashkëkryetaret nuk e thonë fjalën e fundit, pasi sipas tyre negociatat mund të vijojnë deri me 31 tetor, për të sjellë ndryshime të mundshme nëpërmjet amendamenteve.

5 muaj nuk i kanë mjaftuar Anila Denaj dhe Dhurata Çupit për t’u dakordësuar për hartën territoriale në Komisionin e Posaçëm.

Propozimi i denokratëve për 33 bashki më shumë janë të papranueshme për socialistët.

Deraj: 33 bashki më shumë ku pjesa më e madhe e tyre janë bashki të vogla, ku sot beteja e bashkive të vogla është ekzistenciale, themi që më përpara të shikojmë ndryshimet ligjhore, të përmirësojmë përfaqësimin."

Ama dy bashkëkryetaret e lënë një derë te hapur për shefat e tyre që të negociojnë deri në momentin e seancës së posaçme plenare.

Denaj: Janë dy produkte që do të shkojnë në Parlamentin e Shqipërisë dhe nëse më tej do të ketë diskutime, kjo i ngelet qasjes politike.

Çupi: Unë vazhdoj të shpresoj që të miratojmë atë që është propozuar nga opozita apo të ulemi dhe të gjejmë një të mesme.

Këtë e pranoi edhe Taulant Balla, i cili tregon që deri në seancën e posaçme parlamentare të 31 tetorit, Enkelejd Alibeaj ka kohë që të negociojë me të për të sjellë ndryshime të mundshme nëpërmejt amendamenteve.

Balla: Ne ende do të vazhdojmë të bisedojmë dhe të eksplorojmë. Shpallja nga Presidenti i datës së zgjedhjeve vendore nuk interferon aspak në këtë proces.

Pas përfundimit të afatit të Komisionit, dy bashkëkryetaret e Komisionit të Posaçëm për reformën territoriale kanë depozituar në Kuvend dy raporte, ku PD kërkon 94 bashki, ndërsa PS i qëndron ndarjes aktuale prej 61 njësish vendore.