Agron Shehaj denoncon mbylljen e biznesit me polici: Rama do të më mbyllë gojën për Xhaçkën e Gjiknurin

Deputeti demokrat Agron Shehaj denoncoi nga foltorja e Kuvendit mbylljen me polici të biznesit të tij.

Ai tha se kjo është një hakmarrje politike e Ramës për shkak të denoncimeve të bëra prej tij lidhur me korrupsionin qeveritar e po ashtu presion për ti mbyllur gojën.

Shehaj përsëriti se kjo situatë vetëm e motivon për të vijuar denoncimin e çdo afere të qeverisë, ndërsa çështjen e biznesit të tij tha se do ta ndjekë deri në Strasburg.

Agron Shehaj: Kam folur për arsyet konkrete pse Shqipëria është nga vendet më të varfra në Europë dhe pse shqiptarët ikin nga vendi.Kam folur për PPP, korrupsion, për incineratorët, për modelin oligarkik të qeverisjes Rama duke ju qëndruar vetëm fakteve dhe provave.Nga marsi i këtij viti jam munduar të sjell në vëmendje rastin flagrant të abuzimit me pushtetin, atë të resortit të ministres Xhaçka.

Kërkova interpelancë me kryeministrin Rama për ti kërkuar shpjegime në lidhje me firmën e tij në shpalljen investitor strategjik me mashtrim të burrit dhe kunatës së ministres. Dorëzova kërkesën për heqjen e mandatit të Xhaçkës si pasojë e shkeljes së Kushtetutës.I kërkova shpjegime ministres së Turizmit për zvogëlimin e parkut të Butrintit për të mundësuar resortin e kushëririt të Gjiknurit dhe shpalljen e tij investitor strategjik nga ana e Ramës.

Dorëzova gjithashtu në parlament një projektligj për ndalimin e kompanive offshore në kontratat publike. Dhe më në fund erdhi reagimi i qeverisë nëpërmjet dhunës dhe policisë.Jam menduar gjatë nëse duhet të përdorja këtë sallë për të denoncuar një akt të pashembullt në një shtet kandidat për anëtarësim në BE, atë të përdorimit të shtetit dhe policisë për të sulmuar një kundërshtar politik.

Por vendosa se po, se është pikërisht kjo sallë shkaku i sulmit. Gjithçka ka nisur nga këtu, nga denoncimet që kam bërë nga kjo foltore për aferat e kësaj qeverie dhe ministrave të saj. Kjo foto tregon policinë e shtetit brenda ambjenteve të biznesit tim, pa asnjë urdhër nga prokuroria, gjykata, pa asnjë urdhër dhe shkresë nga askush.

Forcat e policisë kanë hyrë brenda një ambjenti privat dhe kanë nxjerrë jashtë punonjësit duke i terrorizuar dhe pa asnjë mandat ligjor. Ky është shteti policor i Edi Ramës që nëpërmjet dhunës dhe përdorimit politik të policisë do të intimidojë dhe tu mbyllë gojën deputetëve të opozitës dhe kujdo që tenton të ngrejë zërin.Prej tre javësh biznesi mbahet i mbyllur me dhunë nga policia dhe rreth 200 ekspertë IT nuk mund të shkojnë në zyrë.

Policia ka vendosur shiritin dhe nuk lë asnjë të hyjë dhe nuk ka dhënë asnjë shkresë apo arsye për bllokimin e biznesit dhe të ambjenteve që kompania ka marrë me qira. Përfaqësuesi i kompanisë ka bërë shkresë në polici për tu njohur me aktin e bllokimit të biznesit por nuk ka marrë asnjë përgjigje nga policia.

Pasi nuk është marrë asnjë përgjigje nga policia i është bërë një kërkesë prokurorisë për të marrë informacione rreth bllokimit të biznesit dhe ambjenteve me qira ku kompania ushtron aktivitetin.

Në lidhje me kërkesën për informacion mbi sekuestron e ambjenteve ku ushtrohet aktiviteti prokuroria thotë tekstualisht: Nga aktet e referuara në prokurori nga policia nuk ndodhen akte proceduriale që lidhen me sekuestrimin e objektit si dhe nuk janë nxjerrë akte të kësaj natyre proceduriale nga ana e organit të prokurorisë.

Pra prokuroria thotë se nuk ka urdhëruar asnjë sekuestro dhe që në prokurori nuk është referuar nga policia asnjë akt që lidhet me sekuestron të ambjenteve që kompania ka marrë me qira dhe ku ushtron aktivitetin.

Me një pretekst banal ju mbyllni një biznes me qindra të rinj të punësuar dhe kjo tregon qartë se ju nuk e keni idenë se çfarë do të thotë të bësh biznes të ndershëmm, nuk e keni idenë se sa sakrifica dhe çfarë përkushtimi i duhet një biznesi për të mbijetuar në treg dhe për tu zhvilluar.

Ju biznes quani vetëm marrjen e parave publike përmes tenderave që shpërndani te familjarët dhe ortakët tuaj.Për ju biznes është e barabartë me aferë. Ju quani biznesmenë kushërinjtë dhe të afërmit tuaj investitorë strategjikë që marrin pronë publike dhe pastrojnë paratë e korrupsionit.

Ky është koncepti juaj i biznesit dhe nuk ka lidhje me biznesin e vërtetë.Biznesi i vërtetë bëhet me djersë dhe përkushtim. Por këtu thelbi nuk është mbyllja e një biznesi të ndershëm. Ky është një sulm i pastër politik. Një hakmarrje e verbër e Edi Ramës ndaj denoncimeve për aferat e rënda korruptive që unë kam bërë nga kjo foltore dhe një presion për të më mbyllur gojën.

Por po e them këtu publikisht: Harrojeni se me këto sulme apo presione kriminale mund të më detyroni që të hesht kur Edi Rama firmos dhe bën Olta Xhaçkën investitore strategjike. Harrojeni se unë do të hesht kur kushërinjtë e Damian Gjiknurit marrin me firmën e Edi Ramës statusin e investitorit strategjik dhe u jepet leje për të ndërtuar në mes të Parkut të Butrintit.

Nuk më intimidoni, përkundrazi më motivoni më shumë të vazhdoj denoncimet për guaskat tuaja offshore, koncesionet tuaja korruptive dhe grabitjen e pasurive publike me qeveritarët strategjikë. Edi Rama, Xhaçka apo Gjiknuri duhet ta kenë të qartë: Unë nuk kam ndërmend të hesht!

Do vazhdoj të them të vërtetën dhe do t'ua them në sy ashtu siç është. Shpesh e kam pyetur veten pse duhet të merrem me ju? Kur zbulova kompanië tuaj offshore  edhe mund të heshtja por vendosa të flas, isha i bindur se kjo ishte gjëja e duhur.

Jam dhe dua të qëndroj në anën e duhur, në anën e qytetarëve kundër babëzisë së këtij pushteti të korruptuar. Nuk mund të pretendoni të pasuroheni duke vjedhur me emrin tuaj me familjarë apo kompani offshore dhe ne të gjithë të heshtim, të trembemi apo akoma më keq, të shitemi.

Unë nuk marr leje ndërtimi, nuk paguhem me tendera apo koncesione dhe nuk bëj asnjë biznes me qeverinë tuaj apo oligarkët tuaj. Bizneset e mia nuk punojnë fare me tregun shqiptar por ofrojnë shërbime për tregun e huaj.

Nxjerrja e punonjësve jashtë me polici dhe dhunimi i paligjshëm i ambjenteve ishte e vetmja gjë që Edi Rama mund të më bënte. Dhe në fakt është pikërisht ajo që bëri. Nuk pres dhe nuk kërkoj që ju të tërhiqeni, unë nuk bëj pazare me ju.

Të drejtën do ta kërkoj në Prokurori, në SPAK, në Gjykatë, në Shqipëri ose në Strasburg. Ju garantoj se do i shkoj deri në fund. Por për një gjë të jenë të sigurt, unë nuk tërhiqem. Sepse nuk kam asgjë për të fshehur, sepse nuk jam në shitje, sepse them thjeshtë të vërtetën, sepse këtë duan shqiptarët. Unë nuk hesht, këtu më keni!

Agron Shehaj denoncon mbylljen e biznesit me polici: Rama do të mëAgron Shehaj denoncon mbylljen e biznesit me polici: Rama do të mëAgron Shehaj denoncon mbylljen e biznesit me polici: Rama do të mëAgron Shehaj denoncon mbylljen e biznesit me polici: Rama do të mëAgron Shehaj denoncon mbylljen e biznesit me polici: Rama do të më