Pedagogu: I kemi marrë parasysh hallet e qeverisë, na japin vetëm 180 € në vit për kërkim shkencor

I ftuar në RTV Ora, pedagogu Ardian Muhaj u shpreh se Vettingu i pedagogëve nuk është se ka kuptim si logjikë dhe se Rama flet absurditete.

Sipas tij, arsimin e lartë është në kushte emergjence dhe kjo nuk është vetëm çështje pedagogëve, pasi vetë kërkesat e pedagogëve kanë marrë edhe hallet e qeverisë.

Ai shtoi se nuk ka kërkim shkencor sepse nuk ka buxhet dhe se mesatarja vjetore që alokohet është sa shpenzon një shkollë fillore në Evropë për lapsa.

Muhaj: Rama nuk është tërhequr, por bën deklarata paradoksale. Vettingu i pedagogëve nuk është se ka kuptim. Nuk është çështja tek Vettingu i profesorëve, por absurditeti i një kërkese të tillë. Ne arsimin e lartë e kemi në kushte emergjence dhe kjo nuk është vetëm e pedagogëve. Vetë kërkesat e pedagogëve kanë marrë edhe hallet e qeverisë, prandaj kërkesat janë të shkallëzuara. Sindikata ka marrë një rol altruist duke mbajtur interesat mes të dyja palëve. Nëse do të kërkonim të drejtat tona nuk do të mjaftonte as dyfishimi.

Nuk ka kërkim shkencor sepse nuk ka buxhet. Mesatarja vjetore që alokohet është sa shpenzon një shkollë fillore në Evropë për lapsa. Mesatarja shkon 180 euro në vit për projekte shkencore për një pedagog. Ligji i arsimit të lartë të vitit 2015 e ka shuar autonominë e universitetit. Ekziston një e drejtë kushtetuese e arsimit të lirë dhe universiteti është një shërbim publik, por autonomia është një iluzion. Këtu janë bllokuar doktoraturat me një status. S’ka autonomi.