Dy raporte për Xhaçkën, Këshilli i Mandateve nuk gjen dakordësi, PD akuza qeverisë

Këshilli i Mandateve do të paraqesë dy raporte të ndryshme në seancën e Kuvendit për mandatin e deputetes Olta Xhaçka. Opozita akuzoi mazhorancën se ka marrë në mbrojtje Ministren, ndërkohë që bashkëshorti i saj përfitoi statusin investitor stratregjik në bregdetin e jugut. Nga ana tjetër mazhoranca nuk u tërhoq nga qëndrimi i saj duke deklaruar se çështja do të vendoset me votim në Kuvend.

Këshilli i Mandateve ka dalë me dy raporte në lidhje me mandatin e ministres Olta Xhaçka.

Opozita akuzoi mazhorancën se ka marrë në mbrojtje Ministren e Jashtme, ndërkohë që i shoqi ka përfituar statusin e investitorit strategjik në jug të Shqipërisë në zonën e bregdetit.

Gjatë mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, deputeti i PD-së Gazment Bardhi tha se mazhoranca vijon të vonojë kërkesën e opozitës për ta çuar çështjen e Xhaçkës dhe bashkëshortit të saj në Gjykatën Kushtetuese, pasi kanë përfituar nga funksionet që mbajnë për tu bërë milionerë.

Bardhi: Kolegët e mazhorancës kanë vendosur të marrin në mbrojtje ministren dhe kolegen e tyre Olta Xhaçka, ndërkohë që qëndrimi i opozitës në Këshill ka qenë dhe mbetet që kjo është një çështje që në themel do të duhet ta shqyrtojë Gjykata Kushtetuese. Por unë dua t'ju siguroj çështja do të shkojë në për zgjidhje të konfliktit të kompetencave në Gjykatën Kushtetuese dhe ne do të mblidhemi përsëri këtu pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkohë socialistët paralajmëruan opozitën se nuk do ta dërgojnë çështjen e Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese pasi është kompetencë e seancës plenare.

Bushka: Askush nuk ka qëllim të mbrojë askënd, ne këtu mbrojmë çfarë parashikon ligji.Fillimisht duhet të sqarojmë se dërgimi i çështjes në Gjykatë Kushtetuese është kompetencë e seancës plenare të Kuvendit. Seanca plenare e Kuvendit nuk është thjesht një noter që e kthen një mocion të 1/10 së deputetëve në një kërkesë për Gjykatën Kushtetuese.

Deputeti Bardhi u shpreh se mazhoranca mund ta vonojë çështjen por kjo nuk do ta ndalojë opozitën për ta çuar në gjykatë.

Mbledhja ka përfunduar pa një dakordësi, ndërkohë që seancës plenare do ti dërgohen dy raporte, ai i PS që mbron Xhaçkën dhe ai i opozitës që kërkon heqjen e mandatit.