Tiranë/ Mashtronin të huajt për të investuar në bursën fiktive, arrestohen punëtorët e Call Center, ikën pronari
Dy të rinj 20 vjeçarë dhe administratori i një Call Center janë arrestuar pasi akuzohen se përmes telefonit mashtronin shtetas të huaj për të investuar në bursën fiktive Forex. Ndërkohë është shpallur në kërkim pronari.
Operacioni u kodua “Last call”
“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 35 vjeçari administronte një subjekt privat call center në zonën e ish-Parkut. Në këtë subjekt të paregjistruar në organet kompetente ishin të punësuar si operatorë 2 të rinj të cilët, së bashku me administratorin, telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex" informoi sot (19 tetor 2022) policia e Tiranes.
Sipas prokurorisë qytetarët e mashtruar janë spanjollë dhe gjermanë.
Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 4 njësi kompjuterike, aparate celulare dhe lista me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive.
Operacioni u kodua “Last call” dhe u organizua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Tiranë.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
- D. T., 35 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një subjekti call center;
- E. Ll., 28 vjeç dhe E. A., 23 vjeçe, të dy banues në Tiranë, të punësuar si operatorë në këtë subjekt.
U shpall në kërkim pronari i këtij subjekti, shtetasi A. T., 34 vjeç, banues në Tiranë.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe arrestiumin e pronarit.
