Demokratët në lokal për Lokalet. "Ulin armët" Edi Paloka 2 orë me Gazmend Bardhin: Mos na ndiqni pas

13 muaj pas ndarjes së madhe, demokratët tentojnë ribashkimin në çatinë e selisë blu. Por takimi i dy negociatorëve të zgjedhur Edi Paloka e Gazment Bardhi nuk prodhoi rezultat të menjëhershëm. Çështja e vulës së partisë duket se i mban peng dy palët. Menjëherë pas takimit Berisha mblodhi Kryesinë, ndërsa nguli këmbë se përfaqësimi i demokratëve në zgjedhjet vendore do bëhet përmes primareve. Pas pak Enkelejd Alibeaj mbledh grupin parlamentar.

"Bisedimet duhet të shoqërohen me tërheqjen e ankimimit".

Një javë më parë, nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ndonëse nuk e quajti kusht për ata që kanë dalë kundër lidershipit të ri të partisë, kërkoi tërheqjen e ankimimit në Gjykata të çështjes së vulës së partisë nga grupimi i Enkelejd Alibeajt.

Dhe duket se fati i demokratëve për zgjedhjet e ardhshme vendore vijon të mbetet i varur nga vula dhe logoja e kësaj force politike, e cila zvarritet në dyert e Gjykatës së Apelit prej muajsh tashmë.

Pikërisht kjo çështje ishte diskutimi kryesor në tryezën informale të të mandatuarve mes palëve për të negociuar bashkimin e demokratëve.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Edi Paloka dhe deputeti Gazment Bardhi u takuan këtë martë (18 tetor) në një nga lokalet e kryeqytetit, shumë pranë selisë blu, ku pas dy orësh duket se zgjidhja vijon të mbetet e largët, pasi asnjëri nga protagonistët e kësaj tryeze nuk preferoi të fliste për diçka konkrete.

Paloka: Kur të kemi diçka konkrete do t'ju njoftojmë. Takimi nuk ka dështuar, është një vullnet i përbashkët për të dalë me një kandidat.

Por përtej kësaj, në selinë blu takimi Paloka-Bardhi u cilësua edhe si tryeza e uljes së armëve në këtë luftë të paprecedentë brenda llojit, e cila u pa dhe në fytyrën e qeshur të deputetit demokrat.

Bardhi: Ju përshëndes të gjithëve.

Edhe pse sipas Palokës diskutimi nuk dështoi, pasi parimisht të dyja kampet janë dakord të shkojnë me kandidatë të përbashkët, duket se deputetët mbështetës të Alibeaj do të presin vendimin e gjykatës, që do të përcaktojë edhe bashkimin apo përçarjen edhe më të thellë të demokratëve.

Pak orë pas këtij takimi, kreu i demokratëve Sali Berisha thirri kryesinë e PD-së, ku foli sërish për bashkim të demokratëve, një akt ky që do të ndodhë përmes primareve.

Berisha: Janë zhvilluar dhe do zhvillohen takime intensive me aleatët tanë për të gjetur gjuhën e përbashkët. Kanë sugjerime të drejta.Mirëpriten të gjitha sugjerimet e tyre, mirëpriten kandidaturat e tyre. Ne hapim një garë.

Berisha bëri thirrje edhe njëherë për nisjen e protestave, ndërsa e cilësoi grevën e pedadogëve të drejtë, ndërsa qëndrimin e kryeministrit Edi Rama arrogant.