Raporti i UNICEF: 35 mijë shqiptarë do të bien në varfëri, mes tyre dhe 9 mijë fëmijë
Lufta në Ukrainë do të ndikojë edhe më tepër në përkeqësimin e kushteve ekonomike edhe për qytetarët shqiptarë. Në raportin e fundit të publikuar nga UNICEF, thuhet se rreth 35.4 mijë persona pritet që t’i shtohen numrit të të varfërve në vend. Nga ky raport, rreth 9 mijë prej tyre janë fëmijë.
Sipas UNICEF, kjo rritje e varfërisë, për rreth 6 mijë fëmijë do të përkthehet në 743 vite të humbura shkollimi.
Në grafikët e publikuar, Shqipëria dhe Kosova kanë vlerësimin më të lartë për popullsinë që do të rrezikojë varfërinë si rrjedhojë e pasojave të luftës. Kosova raporton se priten shifra më të larta ku arrin në 41.5 mijë persona.
Dokumenti paraqet edhe një tablo të situatës në rajon ku në Serbi listës së të prekurve nga varfëria parashikohet t’i shtohen 28 mijë persona, në Bosnjë 17 mijë, në Maqedoninë e Veriut 5.5 mijë, në Mal të Zi, 913.
E krahasuar me popullsinë e vitit 2021, Republika e Kosovës kryeson për numrin më të lartë të personave që rezikojnë të preken nga varfëria, me 3.7% të totalit të popullsisë, e ndjekur nga Shqipëria me 1.5%, ndërsa më të ulët efektin do ta ketë Mali i Zi (0.1%) dhe Maqedonia e Veriut (0.4) dhe Serbia (0.6).
UNICEF vlerëson se Shqipëria dhe Kosova kanë dhe numrin më të lartë të fëmijëve që do të bien në varfëri në rajon, me përkatësisht 1.2 dhe 2.1% të totalit të fëmijëve.

