"Faqja e zezë" Universitetet në kaos, studentët në auditore presin mësim, pedagogët jashtë. Rektorët i tërheqin vëmendjen Ramës
"Kaos". Me këtë fjalë mund të përmbledhësh fillimin e vitit të ri akademik në Universitetet shqiptare.
Si dje studentët hynë në auditore dhe pritën pedagogët për të nisur mësimin, ndërkohë pedagogët ishin jashtë duke vijuar protestën.
“Do të presim deri në njoftim. Është kaotike” tha një student sot në universitetin e Politeknikut.
Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama mblodhi rektorët dhe u tërhoqi veshin për rankimin e universiteteve në rang botëror por duke u shprehur kategorik dhe i vendosur se nuk ka ndërmend të rrisë pagat dhe as buxhetin e shtetit për arsimin e lartë.
Edi Rama:"S'ka rrugë tjetër. Nuk mund të ketë rritje page për universitetet që të mos jetë e kombinuar mes shtetit dhe të ardhurave që universioteti garanton."
Ndërkohë pedagogët në protestë jashtë Universitetit të Politeknikut u shprehën të vendosur
Aleksandër Kovaçi: "Duhet ti thërrasë mendjes. Të gjitha universitet janë në gjëndje kënetore me këtë financim. Nuk ka çfarë të rankojë. Rankime pa financim është kot. Nuk mund të ketë rankim dhe ballafaqim me universitetet rajonale me financim 0.7% të buxhetit të shtetit për arsimin e lartë"
Pedagogët shprehen të vendosur se nuk heqin dorë nga protesta pa plotësuar 9 kërkesat e tyre.
Kush do i jape fizike nipit tuaj?
Edhe rektorët në takimin me Ramën shprehën shqetësimin për gjëndjen e Universiteteve dhe e quajtën të drejtë kërkesën për pagë dinjitoze.
“Unë jam mësues fizike. Student i vitit 1960 kur Shqipëria mblodhi 100 studentët më të mirë dhe ndau 50 fizikë e 50 matematikë. Sot e dinë kush janë studentët që shkojnë në këto degë. Nëse për këto 50 vite ka shërbyer Rexhep Meidani e Spiro Çaushi, kush do i japë Fizikë e Matematikë nipërve tuaj? Shikoni ata që kanë studentët e për 50 vjet do të jetë për faqe të zezë. Qeveria krahas masave që ka marrë ka nevojë për të vënë dorë. Matematika e fizika do të jenë baza nëse duam vërtet që të merren me punë shkencore. Dhe mësuesit që do të venë duhet të kenë vërtet paga të diferencuara nga të tjerët”
Rankimi?
Po rankimi kërkon akreditim dhe akreditimi është një proces i kushtueshëm për Univeristetet.
Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha shprehu shqetësimin se ky proces i ka kushtuar universitetit deri tani 400 milionë lekë.
Artan Hoxha: "Ne paguajmë shumë për akreditimin. Kemi frikë të akreditohemi. Kemi 160 programe studimi 44 kemi futur. Janë 400 mln lekë. Është shumë para që na ikën nga një institucion publik në një institucion tjetër. Ne mbajmë me paratë tona buxhetin e një institucioni tjetër. Si kostimi i procesit dhe shpejtësia, liberalizimi disi pa humbur standardin duhet të jetë një nga prioritetet që ministria duhet të ketë.
Akreditimi i Universiteteve bëhet nga ASCAL buxheti i të cilit financohet në mënyrë të balancuar nga buxheti i shtetit dhe të ardhurat e krijuara nga veprimtaria e tij.
