Të rrëzohen akuzat ndaj UÇK-së, Rama letër vendeve anëtare të KiE: Të hiqet njolla e turpit
Pas fjalimit në asamblenë parlamentare të Këshillit të Europës, Edi Rama u ka drejtuar edhe një letër vendeve anëtare ku kërkon rrëzimin e akuzave të Dick Marty-t dhe Carla del Pontes ndaj UÇK-së dhe ish krerëve të saj. Sipas Ramës, hetimet disa vjeçare nuk gjetën asnjë provë ndërsa akuzat, u mbështetën mbi bazën e thashethemeve prej rusisë. Ai kërkon mbështetje për një votim të ri në Këshill me qëllim rrëzimin e pretendimeve për trafik organesh nga UÇK.
Pas fjalimit në asamblenë e Këshillit të Europës kundër raportit të Dick Martyt me akuza ndaj ish luftëtarëve dhe drejtuesve të UÇK-së kryeministri Edi Rama u ka drejtuar një letër kryetarëve të shteteve e qeverive të vendeve anëtare të këtij organizmi.
Ai kërkon heqjen e njollës së turpit të trafikimit të organeve njerëzore mbi kombin tonë dhe mbi vetë Këshillin e Europës.
Rama shkruan se në vitin 2008, një ish-prokurore e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për Ish-Jugosllavinë (GjNPIJ), Carla Del Ponte, botoi librin e saj me kujtime, “Zonja Prokurore”, ku pretendonte se pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kosovës kishin kryer krime të tmerrshme, përfshi, mbi të gjitha, trafikim të shfrenuar të organeve njerëzore.
Akuzat e saj u mohuan nga Shqipëria e Kosova por u avancuan nga anëtarët e partisë “Rusia e Bashkuar” e Putinit në Këshillin e Europës, të cilët e instrumentalizuan atë për të ushqyer më tej narrativën ruse mbi Kosovën.
Në janar 2011, Asambleja miratoi rezolutën 1782, titulluar “Hetimi i akuzave për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikimin e organeve njerëzore në Kosovë”.
Rama shkruan se 11 vjet më vonë, të gjitha përpjekjet për hetime të bëra qysh atëherë, kombëtarisht, në rajon a ndërkombëtarisht, për të provuar pretendimet për trafikimin e organeve njerëzore, ia kanë dalë të vërtetojnë atë që dihej: nuk ka absolutisht asnjë provë, qoftë në Shqipëri a gjetkë në rajon, për nxjerrje dhe trafikim organesh, e cila do të mund t’i ngarkohej qoftë edhe një pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për më tepër, sipas kryeministrit, aktakuzat e paraqitura nga Dhomat e Specializuara në Hagë nuk përmbajnë as edhe një fjalë të vetme lidhur me nxjerrjen dhe trafikimin e pretenduar të organeve njerëzore.
Në letër kreu i qeverisë thekson se raporti dhe rezoluta u mbështetën më tepër në spekulime sesa në fakte, në thashetheme që qarkullonin në vend të provave.
Duke iu referuar fjalimit të mbajtur më më 13 tetor 2022, Rama thekson se çështja ka një rëndësi sipërore, jo vetëm për të mbrojtur të drejtat e individëve të akuzuar padrejtësisht për krime që nuk i kanë kryer kurrë.
Sipas tij, kjo çështje ka të bëjë me qytetarët e Shqipërisë, që vazhdojnë të jenë shënjestër e stereotipeve të rrezikshme e të pabaza si ky dhe viktima të armiqësisë e të ksenofobisë që akuza të tilla ushqejnë.
Më tej Rama kërkon mbështetjen për miratimin e kërkesës për nisjen e procedurës që do të çojë në një raport vijues, si korrigjim i ndershëm dhe i domosdoshëm i një gabimi tragjik, pasojat e të cilit vazhdojnë ti përndjekin shqiptarët.