U harrua në komisariat, dërgimi me vonesë i dosjes në gjykatë liron të akuzuarin për grabitje
Një person i akuzuar për grabitje me dhune është lënë i lirë nga gjykata pasi policia ka përcjellë dosjen në prokurori jashtë afateve. Gjyqtari, Ardit Mustafai, ka vendosur lirimin e shtetasit Elvis Sejdo pasi prokuroria kishte paraqitur ne gjykatë kërkesën për masë jashtë afateve ligjore dhe si e tillë nuk është pranuar nga gjykata. Organi i akuzës tha se vonesa kishte të bënte me mbërritjen jashtë afatit të dosjes nga policia.
Gjykata e Tiranës ka lënë të lirë një të ri të akuzuar për grabitje, pasi policia kishte vonuar të përcillte në kohë letrat prokurorisë për përgatitjen e dosjes.
Bëhet fjalë për shtetasin Elvis Sejdo, i vetëdorëzuar në Policinë e Tiranës pas akuzave të ngritura ndaj tij për një grabitje të kryer në gusht të këtij viti.
Kërkesa për caktimin e masës së sigurisë ishte bërë jashtë afatit 72 orësh që e ka të përcaktuar Kodi i Procedurës Penale.
Prokuroria kërkoi në seancë caktimin e masës "Arrest me burg" për Sejdon, por ky qëndrim u kundërshtua nga avokati Sokol Tahiraj, i cili i kërkoi gjykatës lirimin e klientit të tij.
Kërkesa e avokatit u pranua nga gjyqtari Ardit Mustafaj për shkak të tejkalimit të afateve.
Sipas akuzës, dokumentacionet për prerjen e fletës së arrestit për Elvis Sejdon u dërguan me vonesë nga Policia e Tiranës dhe për këtë arsye afatet ligjore kanë kaluar.
Elvis Sejdo, tashmë i liruar nga akuzat, ishte shpallur në kërkim përmes operacionit "Escape" pasi ishte bashkëpunëtor në grabitje në afërsi të qendrës "Kristal" në Tiranë.
Në atë kohë, Kevin Zekës i grabitën me armë 1450 euro dhe biçikletën, ndërsa përfunduan në pranga Sebastjan Ogiçi, Ruzhdi Thoma dhe Marjus Fejzulla, ndërsa në kërkim u shpall Elvis Sejdo.
