Rama mbron Erdoganin, sulmon BE-në

Nga Berlini ku iu drejtua krerëve të Partive Socialiste Evropiane, kryeministri Edi Rama nuk harroi të merrte në mbrojtje mikun e tij, presidentin turk Erdogan, ndërsa nuk i kurseu akuzat ndaj BE-së.  Në Berlin Rama pranoi emigrimin masiv të të rinjve shqiptarë.

Kryeministri Rama mori në mbrojtje Presidentin e Turqisë Erdogan gjatë një vizite në Berlin, ku u mbajt kongresi i radhës i Partive Evropiane Socialste. Nga ana tjetër ai nuk nguroi sërish të akuzonte edhe Bashkimin Evropian për sjelljen ndaj Shqipërisë gjatë pandemisë.

Sipas Ramës, po të mos kishte qenë Turqia, askush nuk do të mund t’u vaksinonte për një kohë të gjatë.

Edi Rama: Në rastin e Shqipërisë, për shembull, po të mos kishte qenë Turqia dhe Presidenti Erdogan, nuk do të kishim qenë në gjendje të vaksinonim askënd për një kohë mjaft të gjatë. Ishte një moment shumë i frikshëm sepse pamë që në një situatë shumë të vështirë, Bashkimi Europian nuk ishte për ne, nuk ishte për njerëzit tanë, nuk ishte i pranishëm për një çështje jetë a vdekje.

Kreu i Qeverisë pranoi shpopullimin që po i ndodh vendit, ndërsa tha se të rinjtë shqiptarë sa vijnë dhe largohen nga Shqipëria.

Sipas Ramës elita e të rinjve po emigron në vendet e zhvilluara evropiane, por në këmbim sipas Ramës, Shqipëria duhet të marrë diçka.

Edi Rama: Nuk jemi vende të pasura dhe po shohim të rinjtë tanë, të rinjtë tanë më të mirë që largohen. Nga ana tjetër, shohim që edhe ata që i paguajmë me paratë e taksapaguesve tanë që të bëhen mjekë e infermierë merren nga Gjermania menjëherë. Nga ana tjetër e shohim krahun tonë të kualifikuar të punës që merret nga tregu europian, natyrisht, e kuptoj që është tregu, por kjo duhet të jetë njëfarësoj e ekulibruar me një lloj solidariteti në kuptimin që vendet tona duhet të marrin diçka në këmbim.

Gjatë mbledhjes në Kongresin e Partisë së Socialistëve dhe Demokratëve Europianë Rama gjithashtu foli edhe për sulmin kibernetik duke u shprehur se jemi të 8-tët në Evropë për teknologjinë më të zhvilluar edhe pse duket se prej muajsh ky fakt rezulton i pavërtetë.

Edi Rama: Vetëm dje në treguesin e zhvillimit digjital të Kombeve të Bashkuara Shqipëria renditet e teta në Evropë dhe e 19-ta në botë që nënkupton që kemi një sistem të sofistikuar të shërbimeve online.