Engjëll Agaçi në SPAK, zyrtari i qeverisë pyetet për skandalin e incineratorëve

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, është marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme SPAK pasditen e kësaj të premteje, 14 tetor 2022.

Mësohet se ai u është përgjigjur pyetjeve të prokurorëve për të dalë prej aty rreth orës 17:30, ashtu si edhe duket në këtë foto.

E pyetur nga Ora News, prokuroria ka bërë të ditur se nuk ka informacione për të ndarë me publikun në këtë rast, duke mos dhënë detaje të mëtejshme.

Megjithatë besohet se Agaçi mund të jetë marrë në pyetje për hetimin e nisur mbi incineratorët dhe pse dosja është ndarë në tre pjesë deri më tani.

Ajo për Fierin dhe Elbasanin, dosje për të cilën janë ndaluar deputeti i PS-së Alqi Bllako tashmë në arrest shtëpie, si dhe ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka.

Po ashtu në kërkim janë dhe aksionerët Klodian Zoto dhe Stela Gugallja.

Ndërkaq hetimi vazhdon dhe për koncesionin e Tiranës, ku edhe pse për mbetjet paguhet për djegien ende nuk ka një incinerim.

Më herët opozita ka akuzuar se qeveria ka miratuar 17 vendime me urgjencë për këtë çështje, ku është akuzuar drejtëpërdrejtë sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë Engjëll Agaçi.

Në atë kohë, në Komisionin Hetimor ai mohoi që ligjet janë miratuar me shpejtësi.

Megjithatë ende nuk është e qartë sesi do të veprohet me tre çështjet që janë ende në hetim në SPAK.

Engjëll Agaçi në SPAK, zyrtari i qeverisë pyetet për
Agaçi pas daljes nga SPAK