Denoncimi i zyrtarit të bashkisë Vau Dejës, policia: Nuk gjetëm kanabis por ai vijoi akuzat ndaj shefit të policisë

Policia e shtetit ka reaguar për akuzat e Sekretarit të Përgjithshëm të bashkisë Vau i Dejës, Mark Zhuri, i cili akuzoi shefin e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës se ka lejuar kultivimin e kanabisit në këmbim të përfitimit monetar.

Në një njoftimin për media thuhet se Policia e Shtetit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore janë njohur me pretendimet e z. Mark Zhuri, para disa muajsh. 

Për verifikimin e këtyre pretendimeve janë ngritur grupe pune të përbashkëta mes Policisë së Shtetit dhe të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. 

Në kuadër të planit operacional për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike,  grupet e përbashkëta të Policisë dhe të AMP-së kanë verifikuar në terren të gjitha informacionet e ardhura nga Zhuri, për vende në të cilat ai pretendonte se ishin kultivuar bimë narkotike, por nga verifikimet e kryera në këto vende në terren nuk janë konstatuar bimë narkotike të kultivuara. 

Policia thekson se edhe pas kësaj Mark Zhuri i ka vijuar akuzat e tij edhe në rrjetet sociale, me postime dhe komente për të shkarkuar nga detyra shefin e Komisaritatit të Policisë Vau i Dejës, me pretendimin se është i korruptuar dhe i lidhur me veprimtarinë kriminale të kultivimit të kanabisit.

Në lidhje me këto akuza, shefi i Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, Komisar Bardhyl Saliu, më datë 9 shtator 2022, ka bërë kallëzim në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gyqësor Shkodër, e cila ka regjistruar një procedim penal.   

Policia e Shtetit thotë se është e gatshme për të mirëpritur z. Zhuri dhe cilindo që disponon informacione në lidhje me implikimin e punonjësve të Policisë në veprimtari kriminale apo për abuzim të tyre me detyrën, duke iu garantuar verifikim të menjëhershëm të informacionit, reagim ligjor dhe të paanshëm për çdo rast kur informacionet rezultojnë të vërteta.