Mbledhja sekrete për sulmin kibernetik, deputetëve u “konfiskohen” celularët, mediat nxirren jashtë

Është zhvilluar këtë të premte seanca dëgjimore me drejtuesen e AKSHI-t, Linda Karçanaj, lidhur me sulmin kibernetik ndaj sistemit TIMS. Gjatë kësaj mbledhjeje, Karçanaj u shpreh se informacionet që do diskutohen janë të klasifikuara si sekrete ose tepër sekrete. Nisur nga kjo, Nasip Naço kërkoi që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura dhe pa praninë e medias, ku deputetëve iu kërkua të dorëzonin dhe celularët e tyre.

Në një kohë që publikimi i të dhënave të vjedhura të policisë dhe të shtetasve shqiptarë nuk ndalet prej më shumë se 1 viti, qeveria Rama zgjedh të mbyllë dyert për gazetarët kur kjo çështje diskutohet në Kuvend.

Socialistët pranuan kërkesën e drejtueses së AKSH-it, Linda Karçanaj, që seanca dëgjimore për sulmet kibernetike të zhvillohej pa praninë e mediave në sallën e mbledhjeve të Komisionit të Sigurisë.

"Për shkak të faktit që gjatë diskutimit do të trajtojmë një informacion të konsiderueshëm, i cili është i klasifikuar sekret ose tepër sekret unë do t'ju lutesha që seanca të zhvillohet pa praninë e kamerave, me dyer të mbyllura."

Por kjo u kundërshtua me forcë nga anëtarët e opozitës në Komision.

"Një seancë dëgjimore e ka vlerën e vet për tu informuar deputetët por të mos harrojmë se ajo çfarë ka ndodhur prek edhe publikun."

"Ne jemi e vetmja hallkë në gjithë piramidën e shtetit që mbajmë lidhjen me publikun për institucionet e sigurisë."

Nga kryetari i Komisionit të Sigurisë, Nasip Naço, zgjidhja për të ruajtur sekretet që edhe pse nuk janë më të tilla, u gjet tek dorëzimi i celularëve nga deputetët dhe largimi i gazetarëve nga salla.

"Çdo gjë që është elektronike do të dorëzohet përveç atyre që janë brenda rregullave të sigurisë, duke filluar nga celularët."

Për këtë çështje të hënën edhe presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mblodhi 3 muaj pas shpërthimit të skandalit të sulmit iranian Këshillin e Sigurisë Kombëtare ku dhe atje nuk pati ndonjë njoftim zyrtar lidhur me diskutimet e zhvilluara dhe vendimet e marra.

Kyçja e dyerve për mediat dhe sjellja e institucioneve ndaj gazetarëve ishte pjesë e raportit problematik të Komisionit Europian për Shqipërinë që u publikua këtë të enjte, 13 tetor 2022.