Masakra me tre viktima në Klos, ekspertim celularëve të adoleshentëve për mesazhet kërcënuese
Dy adoleshentët Kenado Shira dhe Renato Hasula dyshohet se kanë fshirë mesazhet kërcënuese ndaj vazjës bashkëmoshatare që u bënë shkak për masakrën me tre viktima dhe dy të plagosur në Klos. Ndaj dy aparatet celularë do të dërgohen për ekspertim.
"Shira i bënte presion në rrjete sociale: Dua të më nisësh fotot nudo, po nuk e bërë do të shpërndaj fotot në rrjetet sociale dhe ty si femër do të shkatërroj jetën" deklaroi vëllai i Fiqiri Mjeshtrit.
Shantazhet e vazhdueshme përmes rrjeteve sociale u bënë shkak i konflikteve që prodhoi masakrën me 3 viktima dhe dy të plagosur në Klos.
Por ndryshe nga pretendimet e familjarëvë të Fiqiri Mjeshtrit, autor i ngjarjes, në telefonat e 17-vjeçarit Kenado Shira që mbeti viktimë dhe Renato Hasulës që u plagos, nga verifikimet e para mësohet se nuk janë gjetur mesazhe të tilla.
Dyshimet janë se dy adoleshentët i kanë fshirë komunikimet me vajzën e 39- vjeçarit që vrau babë e bir, Liri dhe Kenado Shira, plagosi Eglantin dhe Renato Hasula dhe më pas kreu vetëvrasje.
Ndaj Prokuroria e Burrelit ka kërkuar ekspertim nga Policia Shkencore të dy telefonave celularë dhe rikuperimin e mesazheve, nëse ka pasur të tillë.
Ndërkohë, prokurori i çështjes deri në këtë fazë të hetimit ka vendosur të mos kërkojë masë sigurimi personal për personat e përfshirë në këtë ngjarje.
Vëllezërit e autorit të ngjarjes që u vetëvra, u ndaluan fillimisht por u lanë të lirë pas sqarimit të rrethanave, ndërsa babë e bir Eglantin dhe Renato Hasula ende po trajtohen për plagët që morën nga sulmi me armë zjarri.
