Veliaj jep miliona për koncerte, shpenzon 716 mijë euro për inaugurime e prezantime
Bashkia e Tiranës do të shpenzojë 716 mijë euro për koncerte inaugurime e prezantime. Në tre minikonkurset e tenderit, fituese shpallet e njëjta kompani.
Shpenzimet pa kriter të kryebashkiakut Erion Veliaj nuk kanë fund. Bashkia e Tiranës ka vendosur të japë 833 milionë lekë ose rreth 716 mijë euro për organizimin e aktiviteteve të ndryshme.
Këto fonde do të mbulojnë evente kulturore, inaugurime, prezantime dhe koncerte me artistë të njohur vendas dhe të huaj.
Deri më tani për këtë tender janë zhvilluar 3 minikonkurse. Në këtë garë kanë marrë pjese vetëm 2 operatorë ekonomikë dhe në të tre minikonkurset fituese është shpallur kompania “PROSOUND”.
Ajo ka kërkuar 217 milionë lekë për të realizuar të gjitha eventet e bashkisë, me një afat prej 12 muajsh që nga nënshkrimi i kontratës.
Kompania në fjalë është themeluar në vitin 2006 dhe është në pronësi të Kliton dhe Angjello Gjikës.
716 mijë eurot që do dalin nga xhepat e taksapaguesve për evente që nuk sjellin asnjë përmirësim të jetës së qytetarëve të Tiranës, nuk është problem për Erion Veliajn për sa kohë është pa këshilltarë të opozitës në bashki.

