Ujësjellësi i Bradasheshit pa garë, 183 mln lekë për kompaninë e biznesmenit nën hetim në 2017
Ujësjellës dhe Kanalizimet në Elbasan ndjek gjurmët e Bashkisë sa i përket procedurave tenderuese.
Së fundmi për ndërtimin e rrjetit ujësjellës të Bradasheshit, fituesi është shpallur pa garë.
Në prokurimin me vlerë 183 milionë lekë, ose rreth 150 mijë euro, ka marrë pjesë vetëm kompania "Bajrami N", e cila është shpallur edhe fituese pasi autoriteti që ka hapur tenderin nuk ka vërejtur problem në kriteret e paraqitura.
Por dukshëm vihet re se edhe për shkak të mungesës së konkurencës, shuma e kërkuar për realizimin e punimeve ka qenë sa 97 për qind e vlerës që ka pasur në dispozicion ujësjellësi i këtij qyteti.
Punimet për rrjetin e linjës së ujësjellësit do të duhet të përfundojnë brenda 12 muajve nga nënshkrimi i kontratës.
Sipas të dhënave zyrtare kompania është në pronësi të Nazif Bajramit. Po ashtu ai rezulton se në vitin 2017 është nja nga biznesmenët e vënë nën hetim nga Prokuroria e Elbasanit, në kuadër të megaoperacionit për hetimin e pasurive të 67 personave.
Por pavarësisht se hetimi i tenderave pa garë është konsideruar prioritet nga qeveria dhe organet hetimore, duket se ende nuk ka rezultat në këtë fushë.
Madje as rekomandimet e komisionit të prokurimeve publike nuk po gjejnë më zbatim.