Xhepat e shqiptarëve në pikëpyetje, Bozdo: Rrumpallë, qeveria nuk ka më kujdesin ti shpëtojë fytyrën ERE-së
Anëtari i kryesisë së PD Eno Bozdo thotë se qasja e deritanishme lidhur me çmimin e energjisë është një rrumpallë e vërtetë.
Ai thotë se Enti Rregullator është një shtojcë e qeverisë e që Rama tashmë nuk po kujdeset as për ti ‘shpëtuar fytyrën’.
Eno Bozdo: Është një rrumpallë e vërtetë e kësaj qeverie që shkon në drejtim të paditur. Pasi u mbush mendjen shqiptarëve që fasha prej 800 kilovat ishte në të mirën e sistemit, do të kursente. Do të vinte një lloj ndershmërie me pagesat. Pasi e kishte mbledhur dhe Entin Rregullator dhe e detyroi që me një seancë të shpejtë pa dëgjuar palët të vendoste, sot ti kupton se Enti Rregullator është kthyer në një shtojcë të qeverisë, por kryeministri nuk ka më kujdesin për t’ia shpëtuar fytyrën entit. Është një rrumpallë e vërtetë.
Ai tregoi dhe arsyet që sipas tij kanë bërë që Rama të Tërhiqet nga vendosja e fashës prej 800 kilovat.
Eno Bozdo: Rama është tërhequr se ka kuptuar situatën reale ku ndodhet konsumatori shqiptar. Kaq e thjeshtë është kjo gjë. Ka qenë dhe presioni i opozitës që kanë demaskuar skenën. Është një gallat i instrumentalizuar , mjafton të shikosh këtë për të kuptuar çfarë ndodh me shtetin shqiptar.
Enti Rregullator Energjetik do të mbledhë nesër bordin drejtues për të caktuar sesi do të aplikohet çmimi i energjisë elektrike. Teksa kryeministri Edi Rama njoftoi që çmimi i ri energjisë elektrike nuk do të ndryshojë për qytetarët të cilët do të konsumojnë 800 kWh, Enti Regullator prej ditësh mban peng vendimin për mosaplikimin e çmimit të ri për energjinë.
