"Fluturon" sërish çmimi i naftës, rritet me 22 lekë. rritet edhe benzina

Në ditën kur ua kurseu shqiptarëve lekët e energjisë, qeveria “Rama” vendosi t’ua marrë paratë përmes kaburanteve.

Kjo pasi, pa u mbushur ende 24 orë nga vendimi i organizatës së vendeve eksportuese të naftës, OPEC+ për të ulur prodhimin e karburantit në 2 milion fuçi në ditë, ky fakt u reflektua menjëherë në Shqipëri.

Bordi i Transparencës vendosi që të rrisë çmimin e naftës me 22 lekë, duke e çuar në 245 lekë për litër nga 223 lekë që ishte.

Rritje ka pësuar edhe benzina që do të tregtohet me 6 lekë më shumë duke shkuar nga 198 lekë për litër në 204 lekë.

Ndërkohë çmimi i gazit nuk ka pësuar ndryshime dhe do të tregtohet me 78 lekë për litër.

Vendimi i OPEC për të ulur ndjeshëm prodhimin erdhi si reagim ndaj uljes së çmimit të karburanteve.

Ndërkohë, ndërhyrjet e Bordit përmes fiksimit të çmimeve tavan të pakicës që nga fillimi i marsit nuk kanë arritur të frenojnë rritjen e çmimeve, që po i afrohet sërish niveleve maksimale prej 260 lekë për litër që arritën në vend në mars, kur nisën dhe efektet e para të pushtimit rus në Ukrainë.

Përkundrazi mësohet se Bordi po i pengon kompanitë të jenë fleksibël me blerjet që do u mundësonte atyre të manovronin më çmimet.

Çmimet e reja të Bordit

-Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të  jetë jo më shumë se 245 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 233lekë/litër.

-Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN  të  jetë jo më shumë se 204 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 192 lekë/litër.

-Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 78 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 66 lekë/litër për automjetet.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 7 Tetor shtator ora 18.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.