Veliaj gënjen për Bulevardin e Ri, Kryebashkiaku nuk di ku të kapet në përballjen me qytetarët

Erion Veliaj vijon të kërkojë votat e banorëve të Tiranës, edhe pse nuk ka asnjë bilanc pozitiv të realizimeve në krahasim me premtimet e tij përgjatë fushatave. Një shembull për këtë është premtimi i 2015-ës, i cili u përsërit në fushatën e 2017-ës dhe që po rikthehet sërish në vëmendje nga vetë banorët të cilët presin prej vitesh parkun që do të ishte 4 herë më i madh se parku "Rinia".

"Problemi që ka bulevardi i madh është që është devijim i një plani tjetër të një qeverie, i cili kërkonte që qyteti të kishte një park qëndror jo një pyll me pallate. Dhe unë po kandidoj që ta kthej në një park. Ai po kandidon që të vazhdojë pallatet" premtoi Veliaj në 9 qershor 2015.

Kjo deklaratë e Erion Veliaj është bërë teksa ai kërkonte mandatin e parë si kryetar bashkie.

Madje edhe dy vite më vonë, kryebashkiaku vijonte dhe përforconte deklaratën se Bulevardi i Ri do të jetë 4-fish më i madh se parku "Rinia".

"Siç e dini ne reduktuam Bulevardin e Ri nga një bulevard që ishte vetëm me pallate në një pjesë të madhe që do të jetë parku qëndror i Tiranës. Është disa herë më i madh se parku "Rinia" deklaroi ai në 20 mars 2017.

Por sot, 5 vite më vonë Veliaj duket se ka harruar premtimin që ka bërë.

Bulevardi i Ri jo vetëm që nuk ka park, por aty kanë filluar që të ngrihen gradaçelat.

"Pallate plot."

"Ja projekti, deri në fund është vetëm me pallate."

Qytetarët madje ironizojnë premtimet e Kryebashkiakut dhe thotë se deklaratat e tij janë të pavërteta.

"Çfarë parku është, një bulevard, trotuar."

"Parking shikoj por park jo".

"Ku ka park këtu?"

"Park autobusësh thua ti?"

Madje shumë thonë se Tirana është një qytet i pabanueshëm si pasojë e ndërtimeve të shumta, ndërsa i rikujtojnë Kryebashkiakut premtimet e bëra.

"Është thënë zero beton në Tiranë dhe Tirana është kthyer në katrahurë.Një ndër qytetet më të pabanueshme."