Miratohet projektbuxheti 2023, energjia nuk rritet
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, njoftoi pas mbledhjes së qeverisë se Këshilli i Ministrave ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2023.
Gjatë këtij viti, Ibrahimaj theksoi se ekonomia shqiptare do të rritet në terma realë në masën 2.6 përqind dhe se ky buxhet do të mbështesë energjinë elektrike.
"Këshilli i Ministrave mori për shqyrtim projektbuxhetin për 2023. Gjatë vitit të ardhshëm ne parashikojmë që ekonomia shqiptare të rritet me një normë prej 2.6% në terma realë, dhe 5.7% në terma nominalë. Ky buxhet do të vijojë që të mbështesë energjinë elektrike, pra mosrritjen e çmimit për energjinë elektrike që mos të preken konsumatorët dhe bizneset e vogla, dhe do të vijojë të mbështesë ato kategori të shtresave në nevojë”.
Ndërsa Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, prezantoi nga vendimi i qeverisë planin për menaxhimin e stacioneve të plazheve si dhe ankorimin e mjeteve lundruese.
Kumbaro theksoi se aplikimet do të nisin që me 1 nëntor të këtij viti.
“Një nga ndryshimet që vlen të përmendet është ndryshimi i kufirit minimal të stacioneve publike të plazhit, që do të menaxhohen nga bashkitë. Do futen për vitin që vjen dhe dy masa shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me turizmin detar, stacionet e ankorimit dhe bregzimit për mjetet lundruese. Për vitin që vjen aplikimet në sistemin online për stacionet e plazhit fillojnë më datën 1 nëntor. I gjithë procesi i përgatitjes së sezonit të ardhshëm do të kryhet brenda vjeshtës së vitit 2022".
Gjithashtu Kumbaro tha se këtë vit 50% e parcelave të plazheve të parashikuara nga bashkitë bregdetare ishin publike, minimumi ligjor ishte 20%, ndërsa verën që shkoi u rrit me 30%.
