Malësia e Madhe jep 1.2 milion euro vetëm me një kandidat në garën për tendera

Vetëm në një buletin të prokurimeve publike bashkia e Malësisë së Madhe ka renditur 11 tendera të dhëna pa garë. Janë plot 1.2 milionë euro që i kanë përfituar kompani që ose kanë qenë të vetmet që kanë aplikuar ose janë skualifikuar konkurrentët

Bashkia e Malësisë së Madhe ka zhvilluar 11 tendera publik të cilët në pasqyrimin e fundit të buletinit publik rezulton se i ka dhënë pa garë. Procedurat kapin vlerën e 1.5 miliardë lekëve ose rreth 1.2 milionë eurove.

Sipas dokumenteve, qëllimi është riparimi i 7 rrugëve, ndërtimin e një ure, ndërtimin e një depozite uji, rrethimin e varrezave dhe riparimin e sistemit të ngrohjes në tre shkolla të mesme.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Institucioni i drejtuar nga Tonin Marinaj e ka lëshuar dorën pasi tek 9 prej tyre fituesin e ka shpallur me vetëm një konkurrent, ndërsa në 2 të tjerë është skualifikuar konkurrenti.

Sipas të dhënave, bie në sy se gara nuk është zbatuar edhe në tenderët me vlerë mbi 100 mijë euro. Konkretisht bëhet fjalë për asfaltimin e rrugës Zeqirmemaj, rriveshjen me asfalt të rrethrrotullimit Vrake-Qender etj.

Ndërsa në tenderin prej 138 mijë euro kanë konkurruar 2 kompani ku njëra është skualifikuar nga gara dhe tjetra është shpallur fituese.

Mungesa e konkurrentëve në tendera, vendosja e kritereve të qepura si kostum me porosi për kompani të veçanta u kthye edhe në një shqetësim për kryeministrin Edi Rama.

Por edhe thirrjet apo paralajmërimet e tij u harruan duke mos ndryshuar asnjë pikë.