Kompanitë e preferuara në Bashkinë Malësi e Madhe, fituese të 3 tenderave pa garë

Bashkia e Malësisë së Madhe ka firmosur 11 tendera pa garë në javët e fundit, por edhe skema e fitueseve duket çuditshme. Dy kompani kanë fituar nga plot 3 prokurime, por edhe në rastet e mbetura përsëritet i njëjti subjekt.

Në 11 tenderat që rezultojnë të jenë dhënë pa garë nga Bashkia e Malësisë së Madhe, vihet re se fitues janë 6 kompani. Madje mes tyre ka subjekte që edhe pse kanë konkurruar të vetme, kanë përfituar nga 2 deri në tre tendera.

Kështu subjektet “Miculi” dhe “Vataksi” kanë mundur të shpallen fitues nga kjo bashki në tre procedura. Kompania e parë është themeluar në vitin 2006 dhe me aksioner Gjergji Miculit, ndërsa e dyta është themeluar në vitin 2014 dhe është në pronësi të Xhevat Vataksit.

Më tej nga dy tendera kanë marrë kompanitë “Laçaj” dhe “Ndërtuesi” dhe “Kadia”.

Teksa vetëm “Aurora” dhe “Nika” janë shpallur fitues të vetëm një procedure, por si bashkim operatorësh me kompaninë “Laçaj”.

Sipas buletinit të prokurimeve publike, për 11 prokurimet vlera e financimit shkon në rreth 1.2 milionë euro, ndërsa projektet nisin nga 30 mijë euro e deri në rreth 100 mijë euro.

Ndërsa pritet që për to të mos ketë as ankimime duke parë se ka pasur mungesë konkurrence, pasi sipas Bashkisë së Malësisë së Madhe, pjesëmarrësit i kanë plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara për realizimin e punimeve.

Pavarësisht kërkesës së Kryeministrit dhe raporteve të Komisionit të Prokurimeve Publike, duket se si Bashkitë në të gjithë vendin dhe institucionet e tjera nuk kanë marrë asnjë masë për të eleminuar tenderat pa garë.


Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.