A ka lidhje aksioni i FNSH-së në Vlorë me zhdukjen e Ervis Martinaj?
Dy muaj nga denoncimi i familjarëve për humbjen e kontakteve me të kërkuarin Ervis Martinaj, i njohur edhe si biznesmen i lojërave të fatit, ende nuk ka asnjë gjurmë ndaj tij. Zhdukja e tij ka impenjuar dhjetëra oficerë të Krimeve të Rënda në Tiranë, Durrës dhe Lezhë, të cilat janë duke punuar me shpresën e zbulimit të misterit nëse Martinaj është gjallë apo është vrarë.
Por a kanë lidhje kontrollet e FNSH-së në Vlorë me zhdukjen e Ervis Martinaj?
Drejtori I policisë së qarkut të Vlorës Gentian Berberi u shpreh I rezervuar në dhënien e informacionit por tha se kjo polici do të ofrojë të gjithë mbështetjen për të gjitha strukturat e drejtorive të tjera vendore për çfarëdolloj verifikimi apo operacioni në terren.
Gentian Berberi: “Është e vërtetë që FNSH ka qenë në Vlorë. Ka një plan të detajuar nga shërbimet e policisë. Kemi pasur mbështetjen e tyre dhe këto kontrolle do të vazhdojnë edhe në javën në vijim lidhur procedimet.
Është një çështje që nuk i përket çështjes së Vlorës por do të mbështesim të gjitha strukturat e drejtorive të tjera vendore për çfarëdolloj verifikimi apo operacioni në terren.”
Operaiconi i fundit i policisë lidhur me zhdukjen e Ervis Martinajt ka të bëjë me kontrollin e RENEA-s në zonën e Shijakut
Ora News mësoi se ishin kontrolluar tri banesa. Dy nga shtëpitë e kontrolluara i përkasin anëtarëve të një fisi në Shijak, ndërsa banesa e tretë i përket një personazhi tjetër të botës së krimit në vend.
Për zbardhjen e të vërtetës ka lëshuar një ultimatum dhe kryeministri Edi Rama, i cili u ka kërkuar bluve ti thonë publikut çfarë ka ndodhur.
Martinaj, është parë për herë të fundit në 7 gusht 2022 në ambjentet e një hoteli në plazhin e Durrësit dhe një ditë më pas, në 8 gusht 2022, në Tiranë në ambjentet e një biznesi në zonën e “Zogut të Zi”.
Personat e fundit me të cilët ai ka qenë në shoqëri në datën 7 gusht 2022 në Durrës, ishin Jeton Lami, ndihmës specialist tek Operacionalja e Policisë së Shtetit dhe një vajzë nga qyteti i Durrësit.



