Protesta para SPAK për Teatrin/ Edmond Budina: Mos u merr me cironkat por me peshkaqenët
Aleanca për Teatrin u mblodh paraditen e sotme, 12 tetor 2022, për të kërkuar drejtësi për shembjen e Teatrit Kombëtar. Ata i bëjnë thirrje SPAK të kryejë detyrën të shpallë sekuestron e truallit ku ka qenë Teatri Kombëtar dhe që pritet të ngrihen kulla.
Edmond Budina aktori dhe regjisori shqiptar u shpreh i vendosur të vijojë protestën për të kërkuar të drejtën. Madje duke reaguar ndaj deklaratës së djeshme të ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim, e cila dje u shpreh se ishte në dijeni përpjekje për të joshur ose frikësuar gjyqtarët dhe prokurorët, për të shtrembëruar drejtësinë.
Edmond Budina:“Ne nuk kërcënojmë askënd por kemi të drejtën të ngrihemi e të kërkojmë përse pas më shumë se 2 vitesh SPAK nuk po vepron. Përse bëhet palë me mafian . Të gjithë e dimë që sheshi i Tetarit Kombëtar shërben për pastrimin e parave të pista dhe jemi këtu për të thënë Stop. Nuk është korruptive vetëm çështja e teatrit, por janë afera e incineratorëve, porti i Durrësit, Butrinti.
Budina u shpreh i vendosur të mbrojë kauzën e tij.
Edmond Budina: "Po i themi të mos bëhen palë me mafian. Mos u merr me cironkat por me peshkaqenët që mbushin xhepat me milionat e qytetarëve që po zhyten përditë e më tepër në varfëri. Është detyrë immediate të veprojë. Ne nuk lodhemi për të protestuar kundër kësaj qeverie por nuk do të lodhemi duke ardhur në SPAK. Nuk i ndahemi derisa ai të veprojë e reagojë"
Protesta për shembjen e teatrit sot para SPAK, policia shton forcat
Ditën e sotme është paralajmëruar se do të mbahet një protestë para SPAK për shembjen e teatrit nga Aleanca për mbrojtjen e teatrit.
Shkak për protestën është heshtja e SPAK pas 2 vitesh e 9 muajsh nga kallëzimi i parë për shembjen e teatrit.
Protesta është planifikuar të nisë në orën 10:00.
Ndërkohë gazetarja e Ora News Keti Banushi informon se para SPAK policia ka marrë masa të shtuara për protestën.

