Ervis Martinaj 2 muaj i zhdukur, Rrumbullaku ende s'ka asgjë për të thënë

Asnjë informacion të vlefshëm nuk po arrin të disponojë policia e shtetit për çështjen e Ervis Martinaj. Sipas drejtorit të policisë, Muhamet Rrumbullaku, aktualisht po punohet me prokurorët për të zbuluar nëse është rrëmbyer apo vrarë. Nga ana tjetër, drejtori deklaroi se hakerat nuk kanë marrë informacionet e klasifikuara të policisë së shtetit.

Pavarësisht kontrolleve të shtuara të forcave speciale RENEA në Shijak dhe në Vlorë për çështjen e Ervis Martianj hetimet mbeten në pikën zero.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, të cilit iu la detyrë nga kryeministri Edi Rama që të japë një përgjigje sa më shpejt për fatin e Martinajt, ende nuk e ka një të tillë.

Muhamet Rrumbullaku: Kemi struktura që po ndjekin rastin. Jemi në ecuri të procesit. Jemi në krye të detyrave të deleguara nga prokurorët. Punohet nga grupe miks. Nuk kam për të deklaruar asgjë më tepër se kam deklaruar më parë.

I pyetur në lidhje më të dhënat e publikuara së fundmi në rrjetin social Telegram nga grupi i Iranit, drejtori u shpreh se informacionet sekrete të policisë nuk janë prekur.

Muhamet Rrumbullaku: Ne disponojmë 100% informacionin tonë. Asnjë informacion i klasifikuar pavarësisht deklaratave dhe rrjedhjes.

Pavarësisht se nga hakerat pretendohet se kanë marrë sistemin Deep Sea dhe e shesin atë kundrejt një shumë prej 0.5 BTC, drejtori Rrumbullaku tha se efektivët e policisë duhet të qëndrojnë pa asnjë presion.

Muhamet Rrumbullaku: Është motor kërkimi, nuk ka informacion, nuk ka databaze, nuk ka të dhëna.

Që nga shtatori, prej momentit të hakerimit sistemi i policisë u hap pak ditë më parë.

Ende nuk dihet sesa është dëmi i shkaktuar por aktualisht po punohet për forcimin e sistemeve kibernetike.

Ervis Martinaj, është parë për herë të fundit në 7 gusht 2022 në ambjentet e një hoteli në plazhin e Durrësit dhe një ditë më pas, në 8 gusht 2022, në Tiranë në ambjentet e një biznesi në zonën e “Zogut të Zi”.