Sarandë/ Ilaçe kontrabandë me vlerë 70 mijë euro në shtëpi e farmaci, çifti tenton të mashtrojë policët

Një rast i kontrabandës me medikamente mjekësore të llojeve të ndryshme është goditur nga policia e Vlorës.

Gjatë kontrollit të ushtruar në një farmaci në lagjen nr 1 të Sarandës, në pronësi të një çifti bashkëshortëshëve, gjetën një sasi medikamentesh të llojeve të ndryshme, të pashoqëruara me dokumentacionin përkatës, të cilat ishin futur kontrabandë. 

Operacioni ka vijuar me kontrollin e banesës së tyre. Çifti është munduar që t’i orientojnë shërbimet e Policisë, në një banesë tjetër, me qëllim shmangien e kontrollit në banesën e tyre.

“Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e bashkëshortëve, ku kanë konstatuar dy dhoma në të cilat ishin magazinuar 1287 lloje medikamentesh mjekësore në sasi të ndryshme, me vlerë rreth 70 mijë euro. Medikamentet mjekësore u sekuestruan në cilësinë e provës materiale” informoi drejtori i policisë së Vlorës. 

Policia ka arrestuar në flagrancë - K. A., 64 vjeç dhe A. A., 62 vjeçe, të dy banues në Sarandë. 

Materialet për këtë rast i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja dhe depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Fshehja e të ardhurave”, të kryera në bashkëpunim.

Operacioni i koduar “Storage” u zhvillua nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Seksionin e Krimeve Ekonomike e Financiare, në DVP Vlorë dhe me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë.

Sarandë/ Ilaçe kontrabandë me vlerë 70 mijë euro
Farmacia ku shiteshin ilaçe kondrabandë