Hoxha: Nëse nuk fitojmë zgjedhjet e kemi mbyllur historinë me PD, nuk na duhet rikthimi i Bashës

Flamur Hoxha thotë se një humbje tjetër e zgjedhjeve nga PD do të mbyllte historinë e deputetëve aktualë me këtë parti.

Hoxha: Nuk është dobësi të thuash të gjejmë mënyrat e bashkimit sepse nuk mundet ne ti japim shansin 60 apo 90 bashkive prapë të qeverisen nga të majtët. Ndryshe e kemi mbyllur historinë me PD. Nëse nuk fitohen zgjedhjet asnjë deputet nuk duhet të dalë të flasë pa mbajtur përgjegjësi që i faturohet PD.

Për Ora News ai nuk e fsheh skepticizmin për një rezultat pozitiv.

Hoxha: Jam pak skeptik. Jam në dispozicion 100% për gjithçka por asnjëherë duke lënë mënjanë një pjesë të demokratëve që nuk janë përfshirë në gjithë proceset e njëanshme të PD. Nuk i tradhëtoj demokratët qoftë dhe me kosto të jetës. Është fatkeqësi të bëhesh pis në politikë kur nuk je bërë pis në jetë.

I pyetur si e sheh një rikthim të Bashës në PD, ai shprehet:

Hoxha: Për njëfarë kohe ai mund të merret me politikë, me gjithçka por në këto momente që ndodhemi nuk kemi nevojnë të rikthehet Lulzim Basha, kemi nevojë të rikthehet gjithësecili që kontribuon në PD. Zgjidhjet e momentit janë vdekjeprurëse për PD.