Roland Bejko: I jam mirënjohës Berishës për përkrahjen ndaj Lazaratit, sot nëpërkëmbet dhe përbuzet

Konfliktet brenda partisë i kanë vënë ballë për ballë si dy kundërshtarë politikë por Roland Bejko thotë se është mirënjohës ndaj Berishës për përkrahjen që i ka dhënë Lazaratit, zonës së tij zgjedhore.

Për Rtv Ora duke komentuar takimin e Berishës në Lazarat, tha se do ishte i keqardhur nëse nuk do kishte marrë mikpritjen që mori nga banorët.

Bejko: Në rast se banorët në Lazarat nuk do të kishin dalë për të pritur zotin Berisha do të isha mërzitur. Për hir të vërtetës në kohën që Berisha ka qenë në pushtet, Lazarati ka pasur një tjetër respekt në raport me pushtetin. Sot ata janë të përbuzur, të përzënë, të anatemuar.Kam një lloj mirënjohje dhe personale me zotin Berisha për përkrahjen që i ka dhënë Lazaratit gjatë kohës së qeverisjes së tij. Rrethanat e reja në të cilat u vendos Berisha nga viti i kaluar dhe këtej më kanë bërë dhe mua të mbaj këtë pozicion. Pa këto rrethana unë mund të kisha vërejtje sa të doja për natyrën e zotit Berisha por nuk mund të mohoja dot që Berisha mund të ishte dhe një alternativë, e mirë apo e keqe, autoritariste apo jo, këtë ta vendosin demokratët.Por pozicioni i ri që është vendosur Berisha më bëri dhe mua të mbaj këtë pozicion që kam sot, që e shoh të pashpresë për tu kthyer në pushtet, që të jetë nesër kryeministër. Jam i qartë se pa aleancën me ndërkombëtarët dhe pa fituar shumicën e shqiptarëve nuk vjen dot në pushtet.

Sipas Bejkos, ndarja e rrugëve me Berishën janë akuzat e ngritura nga SHBA ndaj tij.

Bejko: Deri dje kam bërë fushatë për Berishën se kishte kartën morale për të ardhur në pushtet dhe qeverisur. Kam kërkuar vota për të se kishte argumenta, arsye që do vinte në pushtet. Ishte i pakorruptuar, ishte njeri që kishte sfida të mëdha përpara, kishte një program politik dhe kishte ndryshuar totalisht. Sot jemi në kushte të reja ku Berishës i ka rënë kjo kartë morale, është i akuzuar për korrupsion nga SHBA për minim të demokracisë dhe drejtësisë. Çfarë të bëj unë? Nuk është faji im, zoti Berisha është zhvendosur, nuk jam zhvendosur unë në pozicione.