Amnistia fiskale u kundërshtua nga SHBA e BE, Gogu: Ngulmojmë se e kërkojnë shumica e shqiptarëve
Amnistia fiskale është një nismë e PS e cila është kundërshtuar si nga SHBA dhe nga BE.
Deputeti i PS, Tonin Gogu thotë se kjo nismë po përmirësohet në konsultim me partnerët ndërkombëtar.
Shumë analistë janë të mendimit që kjo nismë çon në legalizimin e parasë së krimit, por Gogu në një intervistë në Ora News më gazetarin Everest Dedaj u shpreh se po ngulmojnë për këtë nismë sepse shumica dërrmuese e shqiptarëve e kërkojnë një gjë të tillë.
Tonin Gogu: Ne jemi në një diskutim jashtëzakonisht intensiv me partnerët tanë strategjik. Ata po kërkojnë një përmirësim të projektit dhe ne jemi duke e bërë me vëmendje. Po punojmë intensivisht. Ne jemi bashkë me partnerët. Ne ngulmojmë sepse besojmë se shumica dërrmuese e shqiptarëve që kërkojnë amnistinë fiskale. E kemi dëgjuar këtë teksa flisnim me ta gjatë këshillimit kombëtar. Ne nuk mund të bëjmë sikur nuk dëgjuam gjë. Dhe tjetra është që po kërkojmë formalizimin e punës në të zezë, të mijëra shqiptarëve gjatë dhjetëra viteve të tranzicionit.
“Në këtë krizë globale që nuk është krizë shqiptare, vetëm njerëz që besojnë se toka është e sheshtë mendojnë se kriza që kemi përpara ka të bëjë me qeverisjen dhe korrupsionin dhe broçkulla të tilla. E di çdo njeri që lexon që kjo është një krizë globale. Ne besojmë që përballimi i kësaj është që çdo familje të fusin në ekonominë shqiptare ato para që ka fituar në punë që nuk ka qenë faji i tyre që nuk është formalizuar. Këtë duam ta bëjmë duke dëgjuar partnerët strategjikë.”
