Demokratët drejt bashkimit, Kaso: Reflektimi i sotëm lajm i mirë, Noka nuk kushtëzoi diskutimet me padinë
Ivi Kaso i cilëson një hap pozitiv zhvillimet e sotme mes dy palëve brenda PD. Sekretari për Çështjet Zgjedhore i ftuar në Ora News me gazetarin Everest Dedaj tha se shpreson se dy negociatorët
ti qasen tryezës pa kushte paraprake, ashtu siç edhe kanë artikuluar publikisht për të bërë më të mirën për demokratët që i kanë mandatuar si përfaqësues të tyre.
Kaso: Do ta konsideroja një lajm të mirë reflektimin e sotëm të një grupi deputetësh lidhur me ofertën që prej ditësh lidershipi i PD nëpërmjet kryetarit Berisha ka bërë për uljen e të gjithë faktorëve të PD, deputetëve të grupit parlamentar, personave me autoritet brenda kësaj partie rreth një tryeze diskutimi real se çfarë duhet të bëjë PD për të paraqitur në formacionin e saj më të mirë dhe më të plotë në zgjedhjet e ardhshme nga të cilat na ndajnë vetëm pak muaj, data e dekretimit të tyre duhet të jetë shumë e afërt.E konsideroj lajm të mirë dhe shpresoj që palët që janë përcaktuar si "negociatorë" ti qasen tryezës pa kushte paraprake ashtu si kanë artikuluar dhe të kërkojnë të bëhet ajo që është më e mira për demokratët.
Ndërsa Flamur Noka tha se bashkimi i demokratëve nis nga tërheqja e padisë nga pala tjetër, Kaso tha se ky nuk është një kusht i këtyre diskutimeve por një qëndrim që e ndajnë të gjithë përfaqësuesit e Rithemelimit të PD.
Kaso: Është një artikulim jo i ri i zotit Noka dhe eksponentëve të tjerë të PD, është një qëndrim dhe unë e ndaj jo si kusht por thirrje për reflektim për ta kthyer PD në vendin ku duhet të ishte. Nuk besoj se Noka e ka artikuluar si kusht. Shpresoj që kur gjakrat të ftohen dhe arsyeja të prevalojë mbi interesa të ngushta të përcaktimit të lidershipit me mjete ekstrapolitikë besoj se të gjitha palët të ndërgjegjësohen se organet drejtuese, legjitimitetin e PD, aksionin politik të saj ta diktojnë demokratët me votë dhe jo një vendim i çfarëdolloj gjyqtari.
Kaso vlerëson se nëse palët i thërrasin arsyes që çka është e pranuar për secilin demokrat të mos jetë objekt kontesti dhe debati në tryezën e diskutimeve, gjërat janë të arritshme.
Kaso: Sot po diskutohet dhe bisedohet për të bërë atë çka është më e mira për demokratët. Nuk është se pritshmëritë papandehur arritën në nivelet maksimale por e shoh si sinjal të mirë reflektimi.Nëse do ti kthehen radikalizimit dhe qëndrimit në llogore është çështje tjetër.
Kaso kujtoi se ajo që ka pamundësuar më parë dialogun mes palëve ka qenë refuzimi i njohjes së njëri-tjetrit në ato funksione që i kanë vendosur demokratët.
Kaso: Hapi i sotëm është i mirë por nuk dua ta ngarkoj më shumë me pritshmëri pozitive.
Ashtu si Monika Kryemadhi, edhe Kaso thotë se primaret në kushte normale do të duhet të ishin mbyllur shumë më herët.
Kaso: Primaret zhvillohen në një kohë mjaftueshëm të largët nga procesi zgjedhor. Kjo është një garë brenda forcës tonë politike dhe duhet të na shërbejë ne për të evidentuar potencialet tona më të mira, figurat më të mira që garantojnë maksimalizimin e rezultatit të opozitës së bashkuar në zgjedhjet e ardhshme dhe jo për të thelluar procese ndarjesh artificiale që i bëjnë mirë vetëm kundërshtarit politik.

