Zgjedhjet vendore, Berisha i vendosur për primaret: Janë kusht i ekzistencës së PD-së
Zgjedhja e kandidatëve për kryebashkiakë përmes procesit të primareve duket se mbetet një kusht i panegociueshëm për Partinë Demokratike dhe Sali Berishën.
Kjo si duket vlen edhe për grupin demokrat të Alibeajt, i cili hodhi sot hapin e parë drejt bashkimit me pjesën tjetër të PD-së duke mandatuar Gazment Bardhin për negociata me Edi Palokën të mandatuar nga Berisha.
Pyetje: Zoti Gaz Bardhi është caktuar për të negociuar me z. Paloka. A do të tërhiqeni nga Primaret? A keni kushte për këto negociata, bisedime?
Berisha: As kam kushte dhe as nuk marr kushte. Mirëpres cilindo që dëshiron të kandidojë apo të propozojë, të debatojë. Hapje e plotë dhe totale.
Pyetje: Nuk tërhiqeni nga Primaret?
Berisha: Nuk mund të tërhiqem nga primaret. Primaret janë një kusht i ekzistencës i forcës sonë. Nuk tërhiqet kush nga primaret se nuk ka kërkuar kush të tërhiqet nga primaret, nuk kam dëgjuar asnjëri.
Deklaratën Berisha e bëri ndërsa hynte në selinë blu për tu takuar me partitë joparlamentare, në kuadër të zgjerimit të frontit opozitar për zgjedhjet e ardhshme vendore.
Në takim marrin pjesë Nard Ndoka, Sali Shehu, Ekrem Spahia, Adriatik Alimadhi, Kujtim Gjuzi dhe Kostaq Papa.


