Hapat e parë drejt bashkimit të PD-së
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike kanë rënë dakord të zhvillojnë bisedime për përzgjedhjen e figurave më të cilët do të dalin në garë për zgjedhjet vendore. Pas katër orë mbledhje në selinë e Kuvendit, Gazmend Bardhi u shpreh se qëllimi i tyre i vetëm është që të kenë një kandidat të përbashkët, fakt ky i mbështetur dhe nga kreu Sali Berisha.
Përballë kandidaturave të Partisë Socialiste, opozita duket se do të shkojë me emra të përbashkët.
Pas Partisë së lirisë, edhe grupimi i demokratëve të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj kanë rënë dakord të zhvillojnë bisedime me Sali Berishën, për përzgjedhjen e figurave me të cilat do të dalin në garë.
Pas katër orë mbledhjeje në selinë e Kuvendit, në emër të tyre ka folur Gazment Bardhi, i cili zbuloi se negociatat do të zhvillohen me Edi Palokën.
"Do të bisedoj me zotin Paloka për të hulumtuar mundësinë që demokratët të kenë një kandidat në zgjedhjet lokale të vitit që vjen sepse duke qenë një kandidat i përbashkët i demokratëve shanset e demokratëve për të fituar në zgjedhjet lokale rriten në mënyrë të konsiderueshme."
Për deputetët e renditur si kundërshtarë të Berishës në selinë blu, kushti i arritjes së paktit do të jetë vetëm një.
"Ne hyjmë në këtë proces për të gjetur forma bashkëpunimi për zgjedhjet lokale. Fakti është që Edi Rama ka një kandidat në secilën prej bashkive, opozita, por më sëpari PD e gjitha bashkë, do të duhet të ketë përballë një kandidat".
Konfirmimin për bashkëpunim për zgjedhjet lokale e dha dhe kreu i PD-së, Sali Berisha, para takimit me partitë jashtëparlamentare.
"Nuk kam kushte. Mirëpres cilindo që dëshiron të kandidojë, të propozojë, të debatojë. Hapje e plotë dhe totale."
Tashmë pritet që në fund të tetorit, kohë kur Presidenti do të shpallë datën e votimeve në të 61 bashkitë, opozita të arrijë gjuhën e përbashkët.

