U shkarkua nga Vettingu, Prokurori i Tiranës Besnik Cani fiton gjyqin në Strasburg
Besnik Cani është prokurori i parë shqiptar që fiton betejën me vettingun në Gjykatën e Strasburgut. Kjo e fundit ka urdhëruar Shqipërinë të përsërisë procesin ndaj prokurorit të shkarkuar në vitin 2020 me argumentin se prania e Luan Dacit në trupën gjykuese të KPA, e bën krejt vendimin të paligjshëm. Ish-prokurori i kontaktuar nga RTV Ora tha se ky vendim i kthen dinjitetin.
Gjykata e Strasburgut ka gjetur shkelje në procesin e vettingut ndaj ish-prokurorit Besnik Cani duke urdhëruar autoritetet shqiptare ta rihapin rastin e tij.
Në njoftimin e shpallur më 4 tetor 2022 nga zyra e shtypit e gjykatës së të drejtave të njeriut, thuhet se Besnik Cani u shkarkua në vitin 2020, pas një karriere 17 vjeçare.
Në vitin 2018, komisioni i pavarur i kualifikimit e konfirmoi në detyrë, ndërkohë që dy vite më pas, Kolegjii Posaçëm i Apelimit vendosi ndryshe duke e shkarkuar.
Strasburgu thekson se KPA, konstatoi se zoti Cani kishte bërë deklarata të pasakta për pasuritë dhe se kishte qenë i përfshirë në konflikt interesi duke lidhur një marrëveshje për ndërtimin e një pike karburanti, lavazhi e lokali nga një kompani nafte në pronën e tij.
Gjatë procesit në KPA, besnik cani bëri kërkesë për përjashtimin e një prej pesë gjyqtarëve, konkretisht ndaj Luan Dacit duke pretenduar se ai ishte shkarkuar nga detyrat e tij si gjyqtar në vitin 1997 për shkelje të ligjit dhe paaftësi.
KPA dhe gjykata Kushtetuese, refuzoi të shqyrtonte ankesat e prokurorit Besnik Cani kundër emërimit të Luan Daci me arsyetimin se nuk kishin juridiksion.
Ndërkohë ish prokurori bëri kallëzim ku theksoi se Luan Daci kishte kryer falsifikim, pasi kishte deklaruar në aplikimin për tu emëruar në KPA se ai nuk ishte shkarkuar kurrë nga detyra.
Bazuar në këtë padi, prokuroria e hetoi Luan Dacin dhe Gjykatat vendase e shpallën fajtor duke e dënuar me gjashtë muaj dënim me burg e cila u konvertua në dënim me kusht.
Gjykata e Lartë përfundimisht mbështeti gjetjet e gjykatave më të ulëta në tetor 2021, ku vendosi shkarkimin e Luan Dacit nga KPA. Rrjedhimisht pjesëmarrja e tij në vendimarrjen që solli shkarkimin e prokurorit Besnik Cani, e bën këtë verdikt të bjerë ndesh me konventën.
Gjykata e Strasburgut duke u mbështetur në nenin 6 të Konventës, konstaton shkelje të së drejtës së z. Besnik Cani për një "gjykatë të krijuar me ligj". Me 6 vota pro gjykata e Strasburgut ka urdhëruar rihapjen e procesit ndaj Besnik Canit duke refuzuar kërkesën e tij për kthim në detyrë dhe dëmshpërblim.
Po kështu Gjykata për të drejtat e njeriut thekson se parlamenti duhej ta kishte kontrolluar mirë kandidatin Luan Daci para se ta emëronte në KPA.
Në një reagim për RTV Ora, ish prokurori besnik Cani e cilësoi vendimin e strasburgut si kthim të dinjitetit ndërkohë avokati i tij Eduart Halimi e quajti vendimin një lajm të mirë për reformën në drejtësi dhe prokurorët e gjyqtarët e ndershëm.
“E rëndësishme është që na rikthyen dinjitetin. Të tjerat nuk kanë rëndësi” tha Cani për Ora News.