Debat e fyerje/ Balla hap dosjen "CEZ" dhe i uron martesën Shkelzenit; Berisha: Ke disa mbiemra droge, do të nxjerr dosjen me Gentian Sharrën
Seancës plenare të pasdites së kësaj të hëne nuk i mungoi debati Berisha-Balla, që si gjithmonë kaloi deri në akuza dhe fyerje personale.
Duke zgjedhur të replikojë me të në vend të Ramës për akuzat që Berisha i adresoi kryeministrit, Balla ju rikthye sërish çështjes së CEZ duke i kërkuar llogari SPAK se pse nuk e ka marrë ende në pyetje të kallëzuarin nga Kuvendi.
Balla nuk shmangu dhe ironinë për martesën e djalit të Berishës, gjithashtu i akuzuar në dosjen CEZ.
Në kundërpërgjigje Berisha akuzoi Ballën se mban disa mbiemra droge.
Nga ana e tij, Balla i kërkoi Berishës që të bëhet burrë dhe të kallëzojë në Prokurori ish kreun e PD-së, Lulzim Basha.
Balla: Kuvendi ka ngritur një komision hetimor në 2016 për një çështje që lidhet me sektorin e energjisë elektrike. Në fund Kuvendi ka votuar me 74 vota, përfshirë dhe votën e Ilir Metës, për të kallëzuar penalisht Sali Bëerishën dhe bandën e tij në qeverinë e asaj kohe për një dëm prej 410 milion eurosh. Kuvendi duhet ti drejtohet SPAK dhe ti kërkojë një përgjigje pse nuk merret në pyetje ende personi i kallëzuar penalisht? Një ditë me diell dy javë para zgjedhjeve të viti 2009, një person, i cili ishte sekseri dhe njoftonte palën çeke që kam folur me kryeministrin, ky person është paraqitur në derën e një banke të nivelit të dytë dhe ka tërhequr brenda ditës 6.8 milionë euro. Sekseri ka tërhequr 6.8 mln euro. Kuvendi duhet të ndjekë vendimet që merr vetë. 410 milionë euro i ka kushtuar ai Shqipërisë, atë 6.8 milionë euroshin, një gjë është e sigurt, do gjendet dhe do tu kthehet taksapaguesve shqiptarë. Edhe…të trashëgoheni.
Berisha: Njeriu që sapo foli është me disa mbiemra droge, megjithatë unë në respekt të qytetarëve po kthej përgjigje. E vërteta është që në marrëveshjen që bëri Rama me CEZ i shkaktoi Shqipërisë 630 mln dollarë fatura që CEZ i detyrohet Shqipërisë. Kjo ishtë marrëveshja e tij me Fylen. CEZ e peshoi në kandar Edi Ramën dhe në kundërshtim flagrant me ndihmën e arbitrit shqiptar Rama firmosi marrëveshjen më të madhe korruptive në historinë e vendit në një kompani që i detyrohej fatura 620 mln dhe detyrohej dëme të tjera 3 mld e 200 mln euro. Kur del këtu më mirë sill Gentian Sharrën. Zotëri do t’u nxjerr gjithë dosjen e tij, të gjitha transkriptet, të shohësh që edhe sot je i implikuar me të.
Balla: Unë nuk bëj gabime me rregulloren. Unë nuk i deformova fjalën zotërisë. Ajo që unë kërkova është që Kuvendi i Shqipërisë përsa kohë ka miratuar një raport… Ti zotëri je i kallëzuar penalisht. Ajo që unë kërkova është që Prokuroria të kthejë përgjigje. Luli është i yti, jo i imi. Kallëzimin për Lulin në Prokurori e kam bërë unë. Tani që të doli Luli nga vatha, ti thua e kemi mbrojtur ne. Bëhu burrë dhe kallëzoje në prokurori, por burrë nuk ke qenë kurrë në këto 30 vite.
