"Do vazhdojë historia ruse", Berisha flet për një tjetër dosje: Të shohë Rama emrin e kujt do të gjejë aty
Depërtimi i financave ruse në partitë shqiptare duket se do të mbajë gjallë debatin politik për një kohë të gjatë.
Ndërsa mbetet e hapur çështja e financimit rus në PD në kohën kur drejtohej nga Basha, Sali Berisha nga Kuvendi foli për një tjetër dosje dhe sfidoi Ramën të verifikojë se cilin emër do gjejë aty.
Berisha: Ngrihet dhe sulmon opozitën, flet për PD dhe financimet. PD nuk ka marrë kurrë asnjë financim rus. Nëse i ka marrë, i ka marrë Lulzim Basha. U them shqiptarëve se PD u themelua si parti e interesit kombëtar dhe i ka qëndruar rusëve dhe interesave strategjikë në mënyrën më të fuqishme. Fakti që dështuan në korridorin e jugut kur u vendos TAP është një nder i madh i Shqipërisë dhe qeverisë së saj. Edi Rama, njeriu që e dinte se janë financime ruse dhe që i deklaroi Lulzim Bashës në 2018 se ke fut duart në xhepa rusë, bëri gjithçka që ti mbyllë dosjen dhe ta marrë peng. Për këtë ka fakte të pakundërshtueshme.
Shikoni vendimin e gjykatës, është qesharak hetimi i atij rasti. PD ka krijuar Komision Hetimor dhe i kërkon përsëri Lulzim Bashës të tregojë cila është origjina e parave, kush ja dha paratë? Ka një raport zyrtar por në bllokimin e hetimit të kësaj çështje përgjegjësi kryesore ka Edi Rama i cili ose e bllokoi për ta marrë peng Bashën, ose e bllokoi me urdhër të atyre të cilët i kanë dhënë paratë. Ekziston një dosje në Mitrokhinë, të shohë Rama se cilin do të gjejë. Do të vazhdojë historia ruse dhe këtu do të jemi.
